Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka shprehur kritika ndaj Radiotelevizionit Shqiptar gjatë fjalës së tij në Kuvend, duke e cilësuar televizionin publik si një institucion që vijon të mos përmbushë pritshmëritë.
Balla tha se, duke folur si një qytetar i thjeshtë dhe jo si drejtues politik apo deputet, mendon se RTSH “vazhdon të jetë një dështim i madh” dhe “një harxhim parash kot”.
“Pavarësisht vlerësimeve tejet pozitive të skrutinitetit që bën Kuvendi, të paktën duhet ta themi troç që televizioni nuk është se po ngrihet në atë nivelin që do të kishim dashur të gjithë për një televizion publik, pas kaq shumë vitesh përpjekjesh dhe pas kaq shumë drejtorësh të ndryshuar”, u shpreh Balla ndërsa u shpreh optimist për ndryshimin e mënyrës së kontrollit parlamentar mbi RTSH-në, duke theksuar se mbikëqyrja periodike, dhe jo vetëm ajo vjetore, pritet të japë rezultate.
Megjithatë, Balla pranoi se mbetet skeptik për të ardhmen e televizionit publik.
“Por, si njeri shpresëplotë që jam, nuk kam shpresë që Radiotelevizioni Shqiptar do të bëhet. Ky është këndvështrimi im personal”, deklaroi kreu i grupit socialist.
Fjala e plotë:
Së pari, sa i përket Radiotelevizionit Publik Shqiptar.
Jo si kryetar i grupit, por as si deputet, por si një qytetar i thjeshtë, do të doja të thoja që Televizioni Publik Shqiptar vazhdon të jetë një dështim i madh, një harxhim parash kot.
Pavarësisht vlerësimeve tejet pozitive të skrutinitetit që bën Kuvendi të paktën duhet ta themi troç që televizioni nuk është se po ngrihet në atë nivelin që do të kishim dashur të gjithë për një televizion publik, pas kaq shumë vitesh përpjekjesh dhe pas kaq shumë drejtorësh të ndryshuar.
Megjithatë, shpresoj shumë që gjetjet e të dy komisioneve, që janë objektive, dhe që është rasti për të thënë që ky ndryshim i mënyrës së kontrollit parlamentar, që këtë vit po fillon, do të japë efekte.
Unë jam shumë besimplotë që kontrolli parlamentar, tanimë jo vetëm vjetor, por i shtrirë edhe periodik do të na japë vlerësimet e duhura.
Por, si njeri shpresëplotë që jam, nuk kam shpresë që Radiotelevizioni Shqiptar do të bëhet. Ky është këndvështrimi im personal në këtë gjë.
Tani të them disa çështje
Tani zbuluam dhe morëm vesh, në mesditë, se këta çohen vonë, edhe arsyen pse Partia Demokratike nuk qenka sot në seancë, sepse paskan shkuar të kallëzojnë penalisht edhe Kanye West.
Pra, u gjet edhe një armik tjetër i shqiptarëve.
Pra, u gjet edhe një armik tjetër i shqiptarëve.
Pra, hymë në listën e lajmeve qesharake në botë ku një parti politike, me një prezencë jo të vogël në Kuvendin e Shqipërisë, diku te 35 deputetë regjistron Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, se më e bukura është që janë aq qesharakë saqë edhe kallëzimin e kanë bërë në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Kanë kallëzuar këngëtarin, apo kanë kallëzuar autoritetet që organizuan një event të atyre përmasave? Madje pashë edhe një llogaritare që e përdor Partia Demokratike herë pas here për të bërë llogari, dhe që kundërshtonte gjetjet e ekspertëve që përfitimet e Shqipërisë në aspektin ekonomik janë të mëdha. Konstatime të cilat u bënë menjëherë edhe në vende të tjera, por besoj që biem të gjithë dakord që ai moment, apo ajo ditë, nuk është thjesht vetëm një ditë; është një imazh për Shqipërinë. E mbështes vendimmarrjen e kryeministrit dhe të qeverisë për ta mbështetur financiarisht atë aktivitet. Në këto 30 vite kemi parë shumë aktivitete të ngjashme, të mbështetura nga qeveri të ndryshme, për të sjellë në Tiranë aktivitete të këtij niveli. Mjafton lajmi botëror, kudo në botë, që Shqipëria organizoi një aktivitet të këtyre përmasave, me 60.000+ pjesëmarrës, është diçka që në audiencë botërore, rrallë se mund të arrish përmes qoftë edhe reklamave që mund të bësh në rrjetet televizive, meqë po flasim edhe për një rrjet televiziv që është ai publik në Shqipëri”. Por një reklamë në CNN, apo në Bloomberg, apo në të tjera, nuk do t’ia arrinte kurrë shpërndarjen që ka lajmi pozitiv që mori Shqipëria lidhur me këtë koncert.
Por turp i madh që një parti politike e degradon diskursin, debatin politik, betejën politike, edhe në një kallëzim penal për një koncert. Në fakt, kjo vjen nga kompleksi. Pra, gjithë kjo vendimmarrje e një partie politike që sot ka lënë karriget se Saliu e mbaroi hallin e vet, u zgjodh kryetar i partisë, tani nuk i duhet më as grupi parlamentar, shkon të bëjë një kallëzim penal për një koncert, ka të bëjë me kompleksin.
Kompleksi ka të bëjë me protestën.
Pra, kur ti sheh një idiot si një Progni, Progni, i sëmurë mendor, që del në krye të protestës dhe thotë “do bëjmë një ligj ne, Shqipëria e re, kur të vijmë ne në pushtet, do bëjmë një ligj dhe që do fusim në burg të gjithë ata që shkuan në koncert”, kompleksi i asaj që ka mbetur nga partia, ish-dikur Partia Demokratike shkon përtej idiotësisë që thotë një idiot në darkë dhe shkon në pikën që bën kallëzim penal për këngëtarin.
Pra, sorrat në bulevard thonë që do fusim në burg ata që ishin në koncert, e padëgjuar, pavarësisht se nuk është e padëgjuar në historinë sociale politike në Europë. Diku ke 80, 90 vite, 90 vite më parë, në Gjermani të kërcënonin nëse ti shkoje të blije produkte tek dyqanet hebreje, dhe në secilën prej dyqaneve vendosej një letër ku thuhej “mos bli këtu se është hebre”. Sot vendosin fotografi këngëtarësh në mure apo në pemë, që thonë “ky nuk e ka mbështetur protestën”, dalin dhe thonë “kush shkoi në koncert do dënohet me një vit burg”. Naziskinë, turp.
Dhe pastaj gjithë ajo histori, me sulmin, e pashë vetë dje, me sytë e mi. Shkova, vizitova një mobileri; prodhon mobilje, divanë i shet në Itali, i shet në Gjermani. Bert Simaku i shkretë, 40 vjet mes tutkallit edhe çekiçit. Meqenëse kisha shkuar unë vizitë, ju turr Gonia me gjithë call center-at e vet, edhe me gjithë maskarenjtë që e shoqërojnë, edhe pjesa tjetër e halabakëve, 10.000 llogari false, ju turrën duke i bërë komente: “Divanët e këtij nuk bëjnë, mos blini më divana te ky”. Edhe shtuar këtu dhe ca aktivistë të një partie politike në Kosovë, që është turp i tyre, edhe turpi i atyre udhëheqësve, që minimalisht u ka dalë partia nga kontrolli për të qenë korrekt, se të them të drejtën nuk ma nxe goja të shoh dhe ta thoja që “po mirë si ka mundësi”. Po qe se e doni kaq shumë Shqipërinë, hajde pra bëni pushime në Shqipëri. A e doni Shqipërinë ju? Pushoni shqip, hani shqip, konsumoni shqip, blini domate shqiptare, hani kastraveca shqiptarë, djathë, dele, dhie, lope shqiptarë. Apo këto duhen sharë? Hotelet duhen sulmuar. Mos pushoni në Shqipëri, mos hani Shqipërinë. Po ky është pra ajo që po themi, kemi kaq kohë: po e nxorri kokën. Dhe prandaj, prandaj, ajo që dëgjojmë këtu, ajo që ka bërë sot Partia Demokratike për të kallëzuar një koncert, është edhe shprehja më kuptimplotë e faktit që flamingot kanë fluturuar, sorrat kanë mbetur aty, edhe kjo protestë nuk është më e flamingove, është e Saliut dhe e zogjve të Saliut, si punë disave që kemi bezdinë, por duhet t’i dëgjojmë edhe këtu në sallë. Faleminderit.










