Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, ka reaguar pas deklaratave publike të avokatit Arben Llangozi, i cili ka pretenduar se emri i tij figuron në të ashtuquajturën “dosja Aruba”.

Përmes një reagimi publik, Gjiknuri i cilëson deklaratat e Llangozit si shpifëse dhe thotë se kishte zgjedhur të mos reagonte më herët, me bindjen se ai do ta kuptonte se “kishte ngatërruar shënjestrën”.

Deputeti socialist shpreh gjithashtu habinë që, sipas tij, mediat kanë riprodhuar deklarata pa fakte nga një person që ai e përshkruan si “të dënuar me vendim gjykate si mashtrues profesionist”.

Gjiknuri mohon kategorikisht çdo lidhje me pretendimet për “dosjen Aruba”, duke deklaruar se nuk ka qenë asnjëherë në Aruba, nuk ka takuar personat për të cilët bëhet fjalë dhe nuk ka pasur asnjë lidhje me ta.

Ai shton se, për shkak të funksioneve publike që ka mbajtur, figura e tij është verifikuar nga organet e drejtësisë dhe, sipas tij, këto verifikime kanë konfirmuar se nuk ka asnjë shkelje.

Në reagimin e tij, Gjiknuri sfidon publikisht Arben Llangozin të bëjë publike provat që mbështesin pretendimet e ngritura. Në të kundërt, ai kërkon që Llangozi të tërhiqet publikisht nga deklaratat e bëra.

Në përfundim, deputeti i PS-së bën të ditur se ka autorizuar avokatin e tij të përgatisë dokumentacionin për ngritjen e një padie për shpifje ndaj Arben Llangozit.