Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka njoftuar sot se pacientja 25-vjeçare, e cila pësoi djegie në rreth 85% të trupit si pasojë e zjarrit të rënë në një hotel në Lungomare, Vlorë, është nisur për trajtim të specializuar në Turqi.

Në deklaratën e saj, ajo theksoi angazhimin e qeverisë shqiptare për të garantuar kujdesin maksimal mjekësor për Anën.

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu deklaroi sot se qeveria shqiptare ka reaguar menjëherë pas ngjarjes së rëndë në Lungomare, Vlorë, ku pacientja 25-vjeçare Ana pësoi djegie në rreth 85% të trupit.

Ajo bëri të ditur se institucionet kanë ndërhyrë pa vonesë për të garantuar ndihmën e parë dhe transferimin e saj drejt një qendre të specializuar jashtë vendit:

“Ajo ka pësuar djegie në rreth 85% të trupit dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Që në momentet e para, rastin e Anës e kemi ndjekur me vëmendje të plotë dhe jemi të angazhuar për t’i garantuar çdo ndihmë dhe kujdes mjekësor të nevojshëm. Pas marrjes së ndihmës së parë në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’, mjekët atje na kanë rekomanduar vijimin e trajtimit në një qendër të specializuar jashtë vendit.”

Zv. Kryeministrja bëri të ditur se falë bashkëpunimit me autoritetet turke është mundësuar transferimi i Anës drejt Turqisë, ku do të marrë trajtim të specializuar.

“Përballë kësaj situate kritike, kemi ndërhyrë menjëherë për të bërë të mundur transferimin e saj. Falë bashkëpunimit me autoritetet turke, kemi koordinuar transferimin e Anës drejt Turqisë, ku do të vijojë trajtimin dhe do të marrë kujdesin e specializuar që kërkon gjendja e saj shëndetësore. Në këto momente Ana po transportohet drejt Rinasit nën kujdesin e ekipeve mjekësore për t’u nisur më pas drejt Turqisë.”

Koçiu garantoi se të gjitha shpenzimet për trajtimin në Turqi do të mbulohen nga qeveria shqiptare dhe se institucionet do të vijojnë të jenë pranë Anës dhe familjes së saj.

“Qeveria shqiptare do të vijojë të jetë pranë Anës dhe familjes së saj, duke bërë gjithçka është e mundur që ajo të marrë kujdesin më të mirë, trajtimin më të specializuar dhe çdo mundësi për ta fituar këtë betejë. Në këtë moment të vështirë Ana nuk është vetëm. I uroj nga zemra forcë, kurajo dhe shërim sa më të shpejtë.”

Zv. Kryeministrja shprehu gjithashtu urime për shërim të shpejtë edhe për dy pacientët e tjerë që ndodhen në QSUT dhe po marrin kujdesin e nevojshëm mjekësor.