Disa thasë me qymyr u hodhën këtë të diel në hyrje të ndërtesës së Qeverisë së Kosovës nga deputetë dhe anëtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në një aksion simbolik kundër moskonstituimit të Kuvendit pas zgjedhjeve të treta brenda një viti, por edhe kundër politikave energjitike të kryeministrit në detyrë Albin Kurti.
Deputetë dhe anëtarë të partisë vendosën edhe një pankartë me mbishkrimin: “Kurti dhe LVV, nga terri energjetik, në terrin politik”, duke shprehur pakënaqësinë për bllokadën institucionale dhe duke kritikuar faktin që, sipas tyre, Kosova vazhdon të blejë energji elektrike nga Serbia, pavarësisht rezervave të mëdha të qymyrit.
Deputeti i AAK-së, Burim Ramadani, tha se simbolika e qymyrit lidhet me potencialin energjetik të Kosovës, i cili, sipas tij, nuk po shfrytëzohet.










