Nga Hermes Kafexhiu
Albin Kurti nuk po arrin ende të masë ekuilibrin, balancën dhe esencën e politikës për të ndërtuar kompromisin. Kurti nuk mund të quhet më një politikan kokëfortë autentik, me qasje dhe qëndrime gati si të pakompromentueshme, siç deri më tani kemi menduar.
Kurti po sillet si një adoleshent politik, për të mos menduar në kufijtë e keqkuptimit se Albin Kurti po del në një sjellje që shënon në jetën e tij politike një këndvështrim, ndaj të cilit e bën atë si një politikan që nuk do të mirën e Kosovës.
Asnjë fshehje ndaj nacionalizmit që prodhon situata në veri nuk e bën atë të fshihet më pas gishtit. Ai arriti të kuptonte se, pas zvarritjeve me precedentin e zgjedhjeve të përsëritura, populli i Kosovës nuk ia beson atij një pushtet që ta kontrollojë i vetëm.
Nga ana tjetër, Albin Kurti mban sërish qëndrime që vendosin në dyshim edhe kulturën politike të Kosovës të ndërtuar deri më tani, ku institucionet e reja kanë njëfarë decentralizimi, ku zgjedhjet nuk kontestohen, ku hapat drejt europianizimit kanë një sprint të mirë.
Po kjo bashkëjetesë e mirë institucionale po bllokohet nga disa qëndrime të Albin Kurtit në realpolitikën e krijuar.
A është teoria e mirëfilltë politike dhe deri diku e padiskutueshme se “i madhi do duhet të tolerojë” për të ndërtuar balancën?
Kurti nuk mund të dalë me flamurin e fituesit e të thotë se rezultati i zgjedhjeve duhet të përkthejë edhe zgjedhjen e institucioneve të reja, sepse nuk mund të jetë kështu.
Ka disa precedentë të njohur në botë, ku parti që kanë pasur edhe vetëm pak deputetë në Kuvend, për shkak se ishin pika kyçe e “king maker”-it politik për të shmangur kriza, fituesi i shumicës së zgjedhjeve u ka dhënë atyre pushtet të konsiderueshëm për të vijuar punët që kërkon shoqëria.
Albin Kurti po sillet sikur do të qeverisë vetëm zgjedhësit e Vetëvendosjes, ndërkohë që parlamenti ka prodhuar një pasqyrë të qartë të ndërtimit të shtetit, ku zgjedhjet e njëpasnjëshme i kanë thënë Kurtit se “ti nuk mundesh dot të krijosh institucione pa kompromis politik”.
Megjithatë, tani LDK-ja e la topin në fushën e Kurtit dhe tha se do të votojë një president konsensual.
Po kjo nuk është ajo që duhet të na shqetësojë më shumë në këtë situatë!
Ajo që duhet të na shqetësojë është fakti se kujt i shërben kjo pasqyrë politike që po shënon Kosova në këtë precedent të përsëritur krizash?
Unë mendoj se kriza e përsëritur e Kosovës i shërben tezës së vetme dhe të fortë të Serbisë kundrejt shqiptarëve të Kosovës, asaj që shqiptarët e Kosovës nuk janë të aftë të bëjnë shtet.
A është kjo një e mirë për Kosovën në këtë situatë të brishtë, me kaq pak vite pavarësi dhe më pak vite konsolidim?
Përveç se nuk është e mirë, i jep premisat e një tranzicioni Kosovës, që do të duhej ta shmangte duke përfituar nga historitë që kanë ndodhur në Ballkan.
Kjo situatë do të duhej të ishte një mësim për shoqërinë e Kosovës, e cila do të duhej të reflektonte për të ndarë, në raport me mbështetjet politike, se a mund të jetë pesha politike e vendit e barabartë me peshën individuale të një politikani të caktuar.










