Është përdorur një argument i thjeshtë kundër gazetarëve që kanë kritikuar rregulloren e re të GJKKO-së, se pas kërkesës për më shumë transparencë fshihet dëshira për të dëmtuar drejtësinë dhe për t’i shërbyer një politikani, si Erion Veliaj.

Por kjo mënyrë e paraqitjes së debatit shmang pyetjen kryesore, a është transparenca një interes i gazetarit apo një e drejtë e publikut?
Në SHBA, për shembull, gjyqi i Lindsay Clancy, nënës së akuzuar për vrasjen e tre fëmijëve të saj, zhvillohet publikisht edhe pse në sallë diskutohen diagnoza psikiatrike, medikamente, mendime vetëvrasëse dhe detaje jashtëzakonisht intime të jetës së saj. Disa materiale sensitive kufizohen, por kjo nuk përdoret si arsye për ta bërë të padukshëm procesin.

Atëherë pyetja është e pashmangshme, nëse publiku mund të ndjekë një proces kaq të ndjeshëm, pse duhet të jetë më pak transparent një gjyq ndaj një zyrtari publik të akuzuar për korrupsion me fondet e qytetarëve?
Rasti i Erion Veliajt nuk duhet parë si çështje interesi për Veliajn apo kundër Veliajt. Bëhet fjalë për një zyrtar të lartë dhe për akuza që lidhen me ushtrimin e pushtetit publik. Kjo e bën procesin me interes të drejtpërdrejtë për qytetarët.

Të kërkosh kamera nuk do të thotë të kërkosh dënimin e të pandehurit. Do të thotë të kërkosh që publiku të mund të shohë se si funksionon drejtësia.

Kamera nuk duhet të zëvendësojë gjykatën, por as privatësia nuk duhet të zëvendësojë transparencën.

Prandaj debati nuk duhet të jetë: Kujt politikani i intereson publiciteti?

Duhet të jetë: A kemi një drejtësi që kërkon vetëm të besohet, apo një drejtësi që është e gatshme të shihet?

Transparenca nuk është favor për politikanin, gazetarin apo median. Është garanci për qytetarin.