Ministria e Mbrojtjes informon se, gjatë 24 orëve të fundit, janë raportuar 29 vatra zjarri nga të cilat 11 vatra aktive, 3 monitorim dhe 4 nën kontroll.

Për përballimin e situatës vijon një angazhim i gjerë i strukturave të Mbrojtjes Civile, me 249 efektivë të MZSH-së, 48 forca policore, 233 forca bashkiake/AdZM/Shërbimi Pyjor/ASHP, 206 vullnetarë dhe 118 efektivë të Forcave të Armatosura.

Janë angazhuar gjithashtu 43 automjete zjarrfikëse, ndërsa FA ka vënë në dispozicion 9 automjete zjarrfikëse, 4 autobote, 3 ambulanca, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Vatrat kryesore aktive dhe angazhimi:

* Dajt, Tiranë – Vijon puna në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Edhe në Priskë e Madhe nuk raportohet rrezik për banesat.

* Përmet, Gjirokastër – Mbeten aktive vatrat në malin e Nëmerçkës dhe në malin Dhëmbel. Terreni paraqitet i vështirë, ndërsa forcat zjarrfikëse, punonjësit e sektorit pyjor dhe vullnetarët po vijojnë punën për izolimin e tyre. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
* Gurë-Lurë, Dibër – Vijon një nga operacionet më të rëndësishme, me 120 forca të bashkisë, 57 efektivë të FA-së, 15 forca policore, 15 vullnetarë dhe 9 punonjës të AdZM-së. Falë ndërhyrjes së forcave është vendosur nën kontroll perimetri pranë banesave dhe është evituar rreziku për djegien e tyre. Nga ajri kanë operuar 2 avionë Air Tractor, ndërsa puna vijon në dy drejtimet e tjera ku zjarri ruan intensitet.

* Qafa e Helmes, Bulqizë–Dibër – Vatra vijon aktive në terren pyjor, me angazhimin e 10 efektivëve të MZSH-së, 6 forcave bashkiake dhe 6 forcave nga njësia administrative Selishtë.

* Trojë, Mirditë – Për izolimin e vatrës janë angazhuar 13 efektivë të MZSH-së me 3 automjete zjarrfikëse, 36 forca bashkiake, 3 policë, 20 vullnetarë, si dhe 2 automjete zjarrfikëse dhe 30 efektivë të FA-së.

* Shkodër – Vijojnë aktive vatrat në Rrencë dhe Goraj-Budishtë. Forcat e MZSH-së dhe Shërbimit Pyjor po punojnë për izolimin dhe shuarjen e tyre; në Goraj-Budishtë nuk ka rrezik për banesat dhe vatra po shkon drejt izolimit.

* Elbasan – Mbeten aktive vatrat në Dardhë, bashkia Librazhd, ku operojnë MZSH, forcat pyjore dhe bashkiake, si dhe në Shalës, bashkia Cërrik. Në Dardhë nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në tërësi, operacionet vijojnë me angazhim të koordinuar nga toka dhe ajri, ndërsa në disa prej zonave më të ekspozuara është bërë e mundur mbrojtja e banesave dhe kufizimi i përhapjes së zjarrit.

AKMC, përmes Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën dhe të koordinojë angazhimin e kapaciteteve sipas nevojës.