Nga Raimonda Moisiu-SADE

-Agim Gjakova, një Krijimtari pa Kufi…

Në pranverën e këtij viti, ndodhesha në Tiranë, dhe një telefonatë nga mikja ime e ndritur e fisnike, Kozeta Mamaqi, e cila më ftonte në promovimin e një serie veprash, prozë e poezi të autorit dimensional, mikut të saj, Prof. Agim Gjakovës!
“Takimi im i parë” me Prof. Agim Gjakovën e ka zanafillën në rininë time të hershme, kjo ndodhi krejt rastësisht, si një “bashkëbisedim intim” me poezinë dhe prozën e tij të shquar. Në atë kohë studioja në Gjuhët e Huaja, -në atë auditor ku vite më parë kishte kryer studimet e larta për Gjuhë dhe Letërsi Angleze edhe Profesori i nderuar.
Sa herë gjendem në atdhe ftesat për të marrë pjesë në promovime libri, i mirëpres me ndjesinë e një kënaqësie të vecantë të fuqisë së librit, sepse bën jo vetëm bashkë shkrimtarë, poetë dhe dashamirës të artit e letërsisë, porse ndjen atë lidhjen njerëzore dhe empatinë e pastër, për të përjetuar dhe kuptuar botën krijuese të dijes dhe respektit për autorin, mendërisht dhe shpirtërisht, një moment vlerësimi dhe mirënjohje edhe për ata që e duan dhe e shkruajnë letërsinë. Ftesa për promovimin e veprës së Prof. Agim Gjakovës ishte një mundësi harmonie, besimi dhe e shkëlqyer për të kaluar disa orë të këndshme, produktive e plot kulturë. Aty gjendeshin, bashkëbiseduan dhe vlerësuan letërsinë e Prof. Gjakovës plot shkrimtarë, poetë, publicistë të njohur, miq e kolegë të kahershëm e të rinj të tij. Secili prej tyre shprehte fjalën e tij/saj, për këtë njeri fisnik, modest e fjalëndritur, për letërsinë e tij të pasur, jo vetëm në sasi – mbi dhjetra e dhjetra libra të botuar – por edhe të realizuar denjësisht, cilësisht e krejtësisht të veçantë. Madje për Profesor Gjakovën u theksua se; “letërsia e tij meriton shumë më tepër vlerësim dhe vëmendje!”
Prof. Agim Gjakova është një nga figurat më interesante dhe jetëgjatë të letërsisë shqipe, ka një histori njerëzore dhe krijimitari të jashtëzakonëshme. Të shkruash dhe të sjellësh në vëmendjen e audiencës së lexuesve dhe kombit shqiptar, biografinë krijuese dhe bukurinë e gjuhës shqipe të pasur të prozatorit, dramaturgut, skenaristit, publicistit, dhe poetit Agim Gjakova, do të thotë të hysh në një botë ku arti i fjalës gërshetohet me thellësinë e dijes universale, që reflekton shpirtin e pathyeshëm rebel, prek zemrat dhe lartëson ndjenjën e përkatësisë kombëtare.
Udhëtimi krijues i shkrimtarit të shquar Prof. Agim Gjakova nis aty ku fillon kurreshtja jonë për letërsinë, që në bangat e shkollës, ai nuk u mbyll kurrë brenda një kornize të vetme, porse sfidoi veten dhe fjalën shqipe në çdo zhanër: Vjershëtor dhe Tregimtar, që preku shpirtin e lexuesit të ri dhe të rritur, Novelist dhe Romancier, ku ndërtoi struktura të ndërlikuara dhe personazhe të gjallë, Eseist dhe Studiues, që analizoi me mprehtësi shoqërinë dhe letërsinë, Folklorist i talentuar, ku mblodhi dhe ruajti thesaret e shpirtit popullor.
Prof. Agim Gjakova deri më tani ka botuar mbi 30-ë libra duke përfshirë dhjetra romane, romani i tij i fundit “I pabinduri”, dhe “E dashura e katër djemve”, e dhjetra e dhjetra përmbledhje me poezi, prozë, publicistikë, dhe vecmas në letërsinë dokumentare.

Ajo që e bën të veçantë profilin e tij është guximi intelektual, dhe mjeshtri i rrëfimit të një shpirti rebel të paepur, në çdo rresht të shkruar, ai ecën në fillin e hollë midis të mundshmes dhe të pamundshmes; si një mjeshtër i vërtetë i rrëfimit, ai arriti të kthejë vështirësitë e kohës në art të qëndrueshëm.
Prof. Agim Gjakova është një erudit, prozator profilik, dhe poet modernist, që nuk mjaftohet vecse me frymëzimin e castit dhe ndjenjat personale, ai ndërton urat mes epokave, lidh të shkuarën klasike me shqetësimet moderne të kohës që ai jeton, ndërton urat e komunikimit përherë “Në kërkim të së vërtetës”, mes poezisë, prozës, publicistikës, filozofisë, historisë, mitet e lashta dhe heronjtë. Ritmika dhe ngrohtësia e stilit të tij krijues, reflektojnë shpirtin e pathyeshëm dhe lidhjen e vecantë me Atdheun dhe Historinë, kompromisi që ai ka bërë me admiruesit e shumtë të veprës së tij.
Në letrat shqipe, kombëtare, ballkanike dhe ato ndërkombëtare, figura të tilla emblematike si Prof. Agim Gjakova, përfaqësojnë panteonin e mendimit human, qytetari, dije dhe mëncuri, që shpalosin një erudicion të jashtëzakonshëm. Sinteza e lirizmit poetik dhe letërsisë dokumentare në veprat e Prof. Agim Gjakovës përfaqësojnë modelin unik në letërsinë bashkëkohore shqipe, që harmonizojë dy pole shpesh të largëta: lirizmin e thellë dhe saktësinë dokumentare. Gjakova nuk mjaftohet me pasqyrimin e ftohtë të fakteve, ai i vesh ato me një ndjeshmëri të lartë njerëzore, që ngjarjet reale të mos mbeten thjesht kronika, por të kthehen në përjetime shpirtërore për lexuesin. Si një shkrimtar që dëshmoi dhe krijoi nëpër faza vendimtare historike, Gjakova shërben si urë lidhëse mes tri epokave: Historisë modern, ku vendoset baza e stilit të tij- realizmit socialist, prej nga trashëgon vëmendjen ndaj kontekstit social dhe letërsisë postkomuniste, ku fiton lirinë e plotë të shprehjes dhe analizës objektive. Kulmi i tij pubicistik dhe artistik identifikohet në fushën e letërsisë dokumentare, një “gërshetim hibrid” mes letërsisë artistike -fantazisë dhe ndjenjës- dhe asaj dokumentare -faktit dhe dëshmisë -mbrohet nga një aureolë e fortë integriteti professional. Prof. Agim Gjakova na dëshmon se e vërteta historike dhe bukuria estetike mund të bashkëjetojnë pa e cënuar njëra-tjetrën.

-Metafora e Shpirtit të Lirë dhe Rebel, që nuk u përkul kurrë në “Vargje Gjakoviane”.
Të jesh poet apo vetë termi poezi në kuptimin thelbësor të fjalës, nënkupton atë që ta shohësh botën me ndjeshmërinë e bukurisë të një shpirti artistik, ku cdo përjetim apo emocion njerëzor buron nga ndjeshmëria impulsive e shpirtit të lirë, talentit dhe pjekurisë artistke, e cila ekziston brenda gjithckaje njerëzore dhe në akord me lirinë e të shprehurit shndërrohet në një poezi gjallëruese që shkon përtej vargjeve të shkruara. Mes dhjetra vëllimeve me poezi unë zgjodha të analizoj atë – i titulluar “Poezia 19”, të prozatorit, dramaturgut, skenaristit, publicistit, dhe poetit të shquar të kombit, Prof. Agim Gjakova,
Struktura e këtij vëllimit poetik është ndërtuar në cikle të ndjeshme përmes emërtimeve metaforike dhe numerike, që mbartin një peshë të madhështisë simbolike dhe filozofike. Cikle poetike që përfaqësojnë një nga shtyllat më intime dhe më dramatike të lirikës së poetit, ato mbartin një peshë të rëndë biografike, duke pasur parasysh se poeti jetoi nën dy diktatura dhe u dëbua nga Kosova në Shqipëri, ku u përball me izolim dhe përndjekje. Vëllimi përmban poezi lirike, me ton qytetar, intelektual, patriotik, kujtime, mall, dhimbje, dashuri, të cilat shprehin ngazëllimin dhe enthusiazmin e një komuniteti të brishtë, në rastin tonë si te vëllimi poetik “Poezia 19”, një fitore e arritur në liri, progresin social, romantizmin, frymëzimin e frymëzuese, deklamimin e bukurisë shpirtërore e trupore në vjershërimin klasik.
Çdo cikël poetik përfaqëson një temë të vetme në lidhje me Prof. Agim Gjakovën si individ dhe si poet i një shpirti të trazuar dhe kryengritës, i cili ka sfiduar regjimet dhe ka vuajtur përndjekjet, kjo eksperiencë jetësore reflektohet thellësisht në strukturimin e poezisë së tij.

Eksperiencat jetësore dhe përkushtimi krijues, si ciltërsia e ndjenjave, humbja, dhimbja, vetmija, dashuria, shpresa, intimiteti, ngazëllimi apo enthusiazmi- këto sentimente të jetës, -poeti e ndjen të nevojëshme t’u japë zë duke i hedhur në vargje e poezi. Poezia e Prof. Agim Gjakova është rrëfyese, -jo abstrakte-ajo del nga realiteti aktual i botës që jetojmë dhe thjeshtësia e jetës së përditshme. Gjenialiteti i ambicies së tij si poet balancohet nga një ndjenjë e ftohtë absurditeti, me shkëndija talljeje të butë me veten, nga muzat, meditimet dhe spekulimet rreth jetës, gjërat e përjetëshme të ekzistencës humane, – jetës e vdekjes.
Veprat poetike të tij janë madhështore, pa hezitim po përdor termin “vargje gjakoviane”, ku përfshihen poezi lirike, erotike, poezia e dashurisë për atdheun, Shqipërinë e Kosovën, për vendlindjen dhe poezi me tematikë sociale, historike dhe refleksive që amplifikojnë stilin ekspresiv të dhimbjes së bukur –dashurisë! Poeti Gjakova blasfemon në emër të instiktit njerëzor, me konceptimin mistik të lexuesit për botëndijimin, botëperceptimin dhe arritjen e një poeti të shquar, duke e vendosur madhështinë e epikës reale, përmes integritetit të gjuhës së pastër, strukturës fizike dhe kulturës thellësisht poetike që dëshmohen prej secilit cikël në kontekstin e poezive.

Libri nis me poezinë lirike e titulluar “Gruas sime”, autori përshkruan karakterin e zgjuar, dhe të ngrohtë – por edhe të sertë, të një gruaje të bukur fizikisht, unike, vitale dhe shpirtbukur, -një grua e mrekullueshme për ta pasur pranë edhe në kohë të vështira; “shigjetim i agut nëpër këto vite të gjatë/ ndërsa qielli im ishte fytyra jote nëpër hekura/ hapësira më mbeteshin buzëqeshjet e tua të rreshkura”.
Forca frymëzuese dhe shpërthyese e Gjakovës është e ndërthurur me kujtimet personale, dhe përfaqëson një nga simbolikat më intime dhe dramatike të lirikës së tij, për të shprehur atë universalen, ekzistencën e burrit dhe gruas–dashurinë dhe frymëzimin!
Në këtë cikël, figura e gruas ngrihet përtej një subjekti të thjeshtë lirik dhe romantik, ajo shndërrohet në një simbol të mbijetesës dhe besnikërisë. Gjakova shpërfaq një ton intim, të drejtëpërdrejtë dhe jashtëzakonisht të sinqertë, -të zhveshur nga patetizmi. Prof. Gjakova e di fare mirë se njerëzit fillojnë të mplaken kur heqin dorë nga dashuria, andaj ai i lutet bashkëshortes: “Buzëqesh edhe njëherë për mua”- me një gjuhë e ndjenjë të ngrohtë por të përzishme, ku dashuria shërben si e vetmja strehë përkundrejt egërsisë së botës së jashtme; sepse “drita mbi fytyrë tremb terrin e egër në një skutë/ dhe vështrimin e luanit dalngadalë me zbutë”, – për të shprehur atë universalen, ekzistencën e burrit –dashurinë, vazhdimësinë e jetës.
Kjo është edhe arësyeja pse Prof. Gjakova zhvendoset nga vargu në varg në cdo moment të ditës, sepse poeti dhe gruaja, dashuria e jetës së tij, aty gjejnë vetveten; “buzëqesh edhe njëherë për mua, /si një karvan thneglash mendimet ma pickojnë trurin, / helmin ma thith si shpendi kokërr për kokërr gruri.”
Këto vargje të mirë-vendosura në strofë, i japin rrjedhë procesit të transformimit të dukshëm; mendimi e ndjek këtë proces-në fakt e nxjerr dhe e prezanton atë, – si një kompleks mamorfozash të imazhit që është treguar. Kursi logjik i këtij transformimi që ndihet shpesh si një ndjenjë faji të pafajshëm i poetit, i cili, për shkak të idealeve dhe fateve të tij politike, e ka ekspozuar edhe qënien e saj më të shtrenjtë ndaj stuhive të jetës, në përpjesëtim të vetë ndryshimit.

Në poezinë “Gruas sime”, “buzëqeshja” shpreh optimizmin dhe forcën për t’i mbijetuar errësirës së jetës, është një metaforë e fuqishme që përcjell mesazhe shprese, intimiteti, dhimbje dhe trishtimi të përmbajtur dashurie. “Buzëqeshja” nuk është thjesht një shprehje fizike, por një dritare shpirtërore që zbulon kontrastin mes botës së brendshme të poetit dhe realitetit. Për të sfiduar padrejtësitë, dhe fatin e tyre, Gjakova fsheh një plagë e dhimbje të madhe shpirtërore me një qetësi therrëse, ironie e revolte, ai shpreh ngrohtësi, afrimitet dhe magjinë e çasteve romantike; “buzëqesh edhe njëherë për mua, /le të më lëvizin ngjyrat përtej kohës më thellë, /ah cfarë ndjesish, vrullesh, shpërthimesh të valëta ndjell!”
Poezia “ Gruas sime” kontraston “për një buzëqeshje gjithkujt ja kam zili”, / -teksa gjen ngushëllim me bukurinë dhe ndjenjë përhershmërie në “buzëqeshjen dhe sytë e gruas së tij”, vend ku “vecse ai mund të hyjë”, ngaqë “ka vite zemra e ka harruar atë stoli!” Prof. Gjakova na sugjeron se kujtimet, vizionet dhe ëndërrimet, ofrojnë strehë nga kalimi i kohës dhe përkohshmëria e jetës, porse ato nuk do të vdesin kurrë!
Secili cikël poetik si bosht strukturor ka simbolikën e numurit “Shtatë”, përdorimi i përsëritur i këtij numri nuk është i rastësishëm. Në letërsi dhe mitologji, ky numër përfaqëson plotësinë, ciklin e mbyllur kozmik (shtatë ditët e krijimit) dhe transformimin e plotë, ndërsa Poeti Gjakova, përmes këtij numri, ndërton një univers poetik të mbyllur dhe të vetë-mjaftueshëm. Në mënyrë të ngjashme, stili i shkrimit të Gjakovës është një strukturë pothuajse ritualistike, i thjeshtë, i shkruar në vetën e parë dhe pothuajse bisedor e lidhur me numrin “shtatë”-mitologjik dhe biblik që e con lexuesin në zbulimin e jetës së tij, përpjekjet me makthin e historisë e atdheut, që përfaqëson kulmin e tronditjes ekzistenciale dhe kombëtare të autorit.
Përmes cikleve; “Shtatë Ditë”/ “Shtatë Net”/- numuri “shtatë” është ura lidhëse midis reales dhe mitikes, që Poeti Gjakova luan me dualitetin Ditë/ Natë/, kalimin nga errësira e natës, ku dhimbja dhe makthet gdhihen te zgjimi i ditës, dhe shpirti dërgohet sërish në frontin e përballjes me realitetin e vështirë.

Në poezinë e titulluar “Nata e shtatë – (“Ëndërrimi i Shtatë”) -Nata dhe Ëndrra, janë hapësira ku poeti gjen lirinë absolute për të dëgjuar “të gjithë zërat” e shtypur nga realiteti. Andaj poeti përdor elemente të natyrës si “lumi” për të përshkruar zërat e brendshëm të njeriut; gurgullon, këndon, mallkon, grindet; “Disa thonë se lumi gjëmon, /se gurgullon, /se cicërinë, /se këndon/ se tallet, / se zemërohet/ se flet përcart, / se mallkon/ se grindet, /se përkëdhel, / bie në gjumë, / ku ta gjej atë lumë, /t’ia dëgjoj të gjitha zërat.”
Cikli “natë-ditë” na tregon se krijimtaria e Prof. Gjakovës refuzon të mbetet statike; ajo është në lëvizje të përhershme, ashtu si vetë natyra. “Nata” lidhet me ëndërrimin, meditimin, kujtimet e hidhura të së shkuarës dhe zërat e brendshëm, ndërsa “Dita” sjell zgjimin, përballjen me realitetin e vrazhdë dhe dërgimin e shpirtit e të zjarrmisë drejt qiellit e botës së prekshme, një përballje ekzistenciale me të vërtetën.
Ciklet poetike: “Shtatë Lule” / “Shtatë Puthje” paraqesin esencën e shpirtit të lirë dhe botës shpirtërore më lirike, më intime dhe më filozofike të Gjakovës. Ato shpërfaqen si një dialog me veteveten që merr formën e monologut intim – gërshetimin e ndjenjës së thellë mes dashurisë njerëzore; “puthjet” dhe bukurisë shpirtërore të natyrës; “lulet” që paraqesin sinqeritetin emocional dhe një raport mbi strukturën e ciklit mitik dhe ritual, të numurit “shtatë”. Metafora të fuqishme që simbolizojnë bukurinë, rritjen shpresën, lidhjen njerëzore dhe rilindjen e natyrës së ndjenjave. “Shtatë Puthje”, një titull metaforik e lirik që kapërcen erotiken e thjeshtë, ato janë ura mes dy brigjeve (sipas Jakov Xoxes te “Lumi e vdekur” – “Një e puthur mbyll dy brigje e cel dy zemra”) -që nuk janë vecse akti fizik njerëzor, por një element mistik, që përfaqëson shtatë pika takimi midis shpirtit të poetit dhe botës, pajton shpirtin e Gjakovës me fatin, dhe njerëzit që e rrethojnë. “Shtatë Puthje” këtu shndërrohen në një bekim ekzistencial, në kërkimin e dashurisë dhe të paqes pas një dëshpërimi apo traziatje të gjatë shoqërore e personale.
Puthja është dashuri, dhe paqe që vjen pas stuhive të jetës; “Po puth tokën…/ Po puth detin e shkumëzuar. / Po puth pyllin, /Po puth pragun e shtëpisë, /Po puthë vreshtin, /Po puth shtegun e fëmijërisë, / Po puth fotografinë e nënës.”

“Shtatë Lulet” simbolizojnë zvetënimin, bukurinë, por edhe brishtësinë e jetës e të memories. Çdo “lule” është një stacion poetik që prek një dimension të veçantë të jetës: dashurinë, vendlindjen, vuajtjen, besnikërinë dhe qëndresën.
Ciklet poetike; “Shtatë Rrezatime” / “Shtatë Udhëtimet” mbartin një peshë të rëndësishme simbolike dhe filozofike, mëncurinë dhe shpirtin e poetit; rrezatimi nënkupton energji, dritë, zgjimin intelektual dhe filozofik si një strehë shpirtërore për të gjetur qetësinë dhe përfaqësojnë pastërtinë, rininë dhe mbijetesën e shpirtit njerëzor përballë dhunës, shtypjes dhe persekutimit;
Vargjet e “Shtatë Rrezatime” janë simbole të dritës dhe dijes, rrezatime të mendimit të lirë, dhe shpresës që depërton përmes errësirës; (Syzeza)…
Kall pyllin, /copëton hënën, /ndrit yllin. / (Harkvetulla)…ma skizon një rrudhëz, / si zbulim marramendës. / (Buzëkuqja)… ma mpreh dëshirën, / m’i shti ethet, / …në vorbill ngacmimesh. / (Qafëgastarja)…e ma hedh tutje mugëtirën, /ma vërtitë tërë rruzullimin. /
Ndërsa te cikli “Shtatë Udhëtimet”- madje poeti e shoqëron edhe me nëntituj sikundër – “Vesi im i parë/ dytë/ tretë/ katërt/ pestë/ gjashtë/ dhe shtatë në shpirt” – shpreh përshkallëzimin emocional të tij që mbart pjekurinë shpirtërore, sekretin dimensional të dashurisë dhe dhimbjes njerëzore. “Vesi” është dialogu unik dhe lirik i ndjenjës, rrugëtimit shpirtëror të vazhdueshëm i poetit mes udhëtimeve dhe endjes së tij; “në mbretërinë e amëshuar të ndjenjave”/… porse….”nuk ndalet së udhëtuari” derisa -“dhe gjej shëmbëllimin e dashurisë”-vargëzon poeti.
“Vesi” nis nga i pari që shfaq pikënisjen e ndjenjës, pafajësinë, fëmijërinë ose shkëndijën e parë të vetëdijes, tek “i dyti” takimin me dashurinë apo botën që e rrethon, “i treti” kulmon me ndjenjat rinore, zjarrin e brendshëm dëshirat dhe energjinë krijuese, “I katërti” na rrëfen pikën e kthesës, “I pesti” reflekton; urtësi, vështrimin te vetvetja, pranimin e fatit të jetës ashtu sikundër vjen –ai fat i shkruar diku në “të tretat e lindjes, e ardhjes në këtë botë”, derisa arrin atë pjekurinë e stuhive emocionale te “Vesi i gjashtë” përtej reales, materiales, mistikes, artit dhe lirisë së plotë shpirtërore.
Te “Vesi i shtatë” arrin paqen absolute, mes hyjnores, njerëzores dhe përjetësisë së kujtesës.
Cikli “Shtatë Udhëtime” simbolizon vlerat njerëzore, që lidhen drejtpërdrejtë me kalvarin, persekutimin politik e social, sakrificat për të qenë i lirë, për të vërtetën e madhe, identitetin, kujtesën, integritetin dhe dinjitetin kombëtar. Poeti udhëton përmes krahëve dhe mëndjes së shëndetshmë, për t‘i gjetur kuptimin e jetës, drejtësinë e lirinë absolute në një botë të trazuar përtej mureve të censurës. “Shtatë Fluturime” reflektojnë aftësinë e poetit Gjakova për t’i kthyer përvojat personale në përvoja universale, kombinimi i artit me filozofiken, artistiken, psikiken dhe shpirtëroren, lirinë e shtegëtimit të pandalshëm të shpirtit njerëzor drejt të panjohurës dhe të bukurës, ku fluturimi shihet si një mjet për të kapërcyer kufijtë dhe izolimin. Te cikli “Shtatë Tundime”, Prof. Gjakova shpërfaq dualitetin njerëzor midis rënies –tundimit- dhe ringritjes, përplasjet në jetë me dobësitë e veta, dëshirat, sfidat e brendshme, dilemat morale dhe vuajtjen ekzistenciale, përmes sprovave historike dhe politike që ka kaluar autori dhe populli që nga izolimi, përndjekja dhe mbijetesa.
Te “Shtatë Ligjërime”, Prof. Agim Gjakova shquhet për ndjeshmërinë ndaj fateve historike, social-politike të atdheut që përbëjnë edhe një shtyllë kryesore të motiveve e përvojave të tij. Poeti komunikon me figurat historike dhe mitet historike për të gjetur forcë; mali, shqiponja dhe shkëmbi shërbejnë si simbole të paluajtshmërisë, të identitetit, kthimin tek rrënjët, për të kujtuar historinë, gjuhën dhe trashëgiminë etnike, cdo “ligjërim” është një akt rezistence intelektuale dhe qytetarie!
Te “Shtatë të Dhimbëshmë” -poeti Gjakova ndërton një monolog të brendshëm mbi dhimbjen e tokës, duke përdorur metafora të natyrës, lumi që gjëmon apo mallkon, malet, breshëri për të pasqyruar trazirat e shpirtit jo vecse të tij, por të cdo bashkëatdhetari. Cikli poetik i dhimbjes fillon me poezinë “Dhembja e parë” (NANA) -ja si vargëzon poeti;
“…më dridhen buzët”, / më njomen sytë, / më shungullojnë veshët, / më meket goja.”
Në mënyrë të ngjashme, stili i shkrimit të Prof. Gjakovës është informal, i thjeshtë, i shkruar në vetën e parë dhe bisedor; “të thërras e nuk më përgjigjesh, /drithërimë, zjarrmi, ftohtë akull, / ngarend, të të arrij, /por/ooo…/është hija jote bir.”
Poeti Gjakova shpërfaq atë që kritikët e quajnë “poezi me këmbë në tokë, troç dhe pa doreza”, ai shpreh dhimbjen për fatin e Kosovës dhe Shqipërisë, duke goditur hipokrizinë shoqërore, humbjen e vlerave njerëzore dhe deformimin e idealeve të lirisë nga udhëheqësit analfabetë apo tradhtarët, siç e thotë te “Dhimbjet nuk mashtrohen si njerëzit”.
Përmes gërshetimit të dy cikleve; ”Shtatë Ligjërime“/ “Shtatë të dhimbëshme”, Gjakova vendos një ekuilibër me elementet mitike, dhe paktin e shpirtit intim, melankolik, reflektiv, herë-herë rebel, e i guximshëm, herë-herë provokues dhe reformator, i fenomeneve të jetës, plagët që mbart një popull, dhe duke shtrytëzuar verbin poetik, me energji shprehëse, intensitet të vrullshëm, shqipton me zërin e vet poetik, lirik dhe estetik; zërin dhe dinjitetin që nuk lejojnë tjetërsimin e tij. Kjo dyshe poetike mbetet një dëshmi e fuqishme e mbijetesës shpirtërore dhe kombëtare.
Te cikli “Shtatë të Kundërta” simbolizon filozofinë e kontrasteve të mëdha të jetës dhe realitetit politik e shoqëror, mes të mirës e së keqes, dhe pavarësisht “të kundërtave”, cikli përçon mesazhin e nevojës për ekuilibër dhe zgjim shpirtëror të individit dhe kombit.
Cikli “Shtatë Vrragë”, vetë fjala “vrragë” nënkupton një shenjë, plagë të mbetur apo gjurmë vuajtjeje. Ato tregojnë se çdo sakrificë ka lënë një gjurmë të pashlyeshme te poeti dhe tek identiteti kombëtar, duke kujtuar burgjet, persekutimet dhe dhunën e genocidin etnik.
Cikli “Shtatë Nostalgji” përfaqëson botën e ndjeshme, shpirtin e lënduar, dhe fyerjen e inteligjencës së poetit.
Prof. Gjakova e kthen mallin (nostalgjinë) për tokën për shtëpinë, prindërit, rrugicat me kalldrëm të Çarshisë, shokët e rinisë, lirinë e humbur, dhe për njerëzit që e rrethonin, -në durim, kurajo dhe frymëzim, për të mbajtur gjallë identitetin kombëtar. Nostalgjia këtu nuk është thjesht një ndjenjë passive, lirike, erotike apo romantike, por një formë rezistence shpirtërore, që poeti nuk mund ta shohë e prekë, andaj e sjell atë përmes vargjeve.
Cikli “Shtatë cilësitë” – paraqet karakterin e fortë dhe qëndrestar para furtunave dhe stuhive të jetës; “Shpartalloj të gjitha shpikjet e së ligës, / me detin e përballimit”/ – dinjitetin e ndërgjegjes së poetit; “ a më thoni ku shitet ndërgjegja, /t’i shpenzoj edhe paratë e fundit, / t’ua dhuroj dykëmbëshve që u dridhet dora!”
Krenaria alias (burrëria) është motiv tejet i fuqishëm që paraqet lidhjen me rrënjët, vendlindjen dhe identitetin, andaj poeti Gjakova vlerëson dhe mbron vlerat, traditat dhe historinë e popullit të tij: “ ta vështroj dreqin në sy, / ta dridh dheun si tërmet, /…”më falni njerëz, / që nuk linda nga balta”!
Prof. Gjakova është mjeshtër i artikulimit të integritetit emocional, moral dhe atij artistik që krijon një harmoni të plotë midis vlerave që vetë poeti ka në jetën reale dhe vlerave që ai mbron përmes vargjeve të tij. Prof. Gjakova shkruan me vërtetësi, sinqeritet të plotë dhe pa kompromise, ai i qëndron besnik zërit të tij unik, përshkruan ndjenjat njerëzore, gëzimin, dhimbjen, vret frikën ashtu sic janë në të vërtetë, pa i zbukuruar apo ekzagjeruar ato në mënyrë të rreme. Bota poetike e Prof. Agim Gjakovës konsiston në vizionin, shpirtëror, real e virtual të ekzistencës humane, e arësyeshme brënda përmbajtjes gjenetike nga tradita e besimi, hapësira e koha, në të cilën krijon atë lidhjen e fortë të besimit midis vetë atij dhe lexuesit, duke e bërë poezinë të ndihet e gjallë, e fuqishme dhe e pavdekshme; “askush s’mund të ma lëvrojë qenien /…”më falni njerëz, / që nuk linda nga balta!”
Poezia e Prof. Agim Gjakovës funksionon përmes kodeve numerikë, dhe metaforave të shumta, -kur ai ndërthur jetën-lulet, ndjenjën-puthjet, dhe dritën –rrezatimet, -poeti me mjeshtëri artistike e filozofike ndërton një manifest të qëndresës shpirtërore, duke na rrëfyer se pavarësishit kalvarit të netëve të gjata të vuajtjeve e sakrificave, njeriun gjen forcë dhe energji të rilindë e të zgjohet…
Poeti Agim Gjakova flet qartshëm për kufirin midis artit dhe jetës, ku iluzioni bindës i artit lëkundet. Poezia e tij eksploron tensionin midis natyrës së përkohshme të ekzistencës fizike dhe cilësisë së qëndrueshme të ëndrrave, të cilat mund të ofrojnë ndjenjë përhershmërie dhe arratisjeje.
“Nuk gjej mënyrë si t’ua fshij fëlliqësitë, – dhe na lejon të shohim diçka që lëviz rreth realitetit dhe imagjinatës; “vec t’i përcoj në hapësirë, / t’i pranojë ndonjë planet i marrosur.”
Vargjet e cituara më lart flasin për dëshirën e poetit për t’u shkëputur nga vuajtjet njerëzore dhe për të gjetur qetësi në natyrë. Kjo poezi pasqyron një melankoli të thellë për ikjen nga realiteti i lodhshëm.
Titujt numerikë dhe metaforikë dëshmojnë se njeriu, pavarësisht copëtimit shpirtëror apo thyerjeve historike, kërkon gjithmonë një strukturë dhe një pikë zgjimi për të gjetur kuptimin e ekzistencës së tij.

-Prof. Agim Gjakova: Historia dhe Atdheu, -Një Trashëgimi që Vazhdon edhe Sot…

Poeti i shquar Agim Gjakova i ka kushtuar një vëmendje të admirueshme gjuhës shqipe jashtëzakonisht të pasur, të pastër, të drejtpërdrejtë dhe të punuar mirë, “me këmbë në tokë”, por thellësisht figurative. Ai nuk përdor një thurrje klasike rime; ai preferon vargun e lirë por me një ritëm të brendshëm të diktuar nga anafora dhe paralelizmi strukturor. Ndarja në kapituj numerikë i jep librit karakterin e një obelisku letrar, ku çdo varg mbështet tjetrin. Stili i tij i veçantë letrar ndërton një urë të natyrshme komunikimi midis dy dialekteve kryesore të shqipes. Struktura gramatikore, zhargoni dhe shtrirja gjuhësore, koha e foljeve dhe drejtshkrimi i fjalëve, tregojnë se autori ka njohuri të shkëlqyera e profesionale të gjuhës shqipe. Origjina dhe jeta e tij mes Kosovës e Shqipërisë, arësimin e hershëm e kryen në vendlindje –Kosovë- dhe pas dëbimit të familjes së tij, ai mbaron studimet e larta në Universitetin e Tiranës, për gjuhë e letërsi angleze, më pas ai punoi për dekada si redaktor e skenarist, që e bënë Prof. Gjakovën zotërues të shkëlqyer të toskërishtes dhe gjuhës standarde, dhe një mbrojtës të flaktë i pastërtisë së gjuhës shqipe, që shmangte fjalët e huaja të panevojshme duke shfrytëzuar burimet e brendshme të të dy dialekteve.
Si në poezi e prozë, Prof. Gjakova nuk e braktis forcën, ritmin dhe leksikun e gegënishtes, porse ai e pasuron atë me strukturën dhe butësinë e toskërishtes. Romanet dhe poezitë e Prof. Gjakovës përherë hapin dyert, dhe përherë mbërrijnë te lexuesi. Ajo që shkëlqen në krijimtarinë dimensionale të tij, është pasioni i përjetshëm i Prof. Gjakovës për poezinë dhe letërsinë. Pasioni i tij i paepur dëshmon se letërsia e mirë i mbijeton çdo stuhie, një trashëgimi që vazhdon edhe sot, kur kthejmë kokën pas në udhëtimin e tij krijues, shohim një monument të pasur letrar. Për shumë breza lexuesish, emri i tij nuk është thjesht një emër në kopertinë, ai është një udhërrëfyes përmes botëve të ndryshme letrare.
Figura e vlera kombëtare dhe historike të tilla si Poeti e Shkrimtari i Shquar Prof. Agim Gjakova, duhet të vlerësohen më krenari e dinjitet kombëtar, për artin dhe kulturën, letrat shqipe dhe brezat e ardhshëm, ai na mësoi se shkrimtari nuk është thjesht një vëzhgues, por një dëshmitar i epokave dhe kohës së vet.
I mencur, i matur, aktiv dhe me një shpirt të madh, edhe pse me nëntë dekada mbi supe, Prof. Agim Gjakova vazhdon të na japë vepra brilante nga shpirti, talenti dhe pasioni i tij krijues, – shpirtin e tij të lirë dhe rebel, që nuk u përkul kurrë, përherë në emër të humanes dhe dashurisë njerëzore.
Prof. Agim Gjakova mbetet një personalitet shumëdimensional që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturën tone.
Vepra e Trashëgimi e tij jeton e plotë, duke frymëzuar sot e kësaj dite brezat e ardhshëm, dhe studiuesit e historisë kombëtare.
Raimonda Moisiu-SADE
Author/Freelancer
Gusht, 2026
Jacksonville Florida USA