“Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është një politikan me përvojë dhe Bashkimi Evropian po e shantazhon, por ai po i përballon me guxim këto presione”, tha ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov, raporton media serbe Kurir.
Lavror shtoi se “Presidenti Vuçiç nuk e ka të lehtë. Ai është një politikan me përvojë dhe është i përkushtuar ndaj integrimit evropian. Por, në këtë fazë, Bashkimi Evropian po tallet me të, thjesht po e shantazhon”.
Sipas tij, BE-ja i ka vendosur Serbisë dy kërkesa kryesore për përshpejtimin e negociatave të anëtarësimit. “E para është: njihni pavarësinë e Kosovës. Dhe e dyta: mbështetni të gjitha vendimet tona që kanë të bëjnë me Rusinë. Ai po e përballon me guxim këtë presion prej më shumë se një viti”, deklaroi Lavrov.
Ministri rus tha gjithashtu se Rusia i shet Serbisë gaz me çmime të favorshme dhe, sipas tij, nuk kërkon asgjë në këmbim nga Beogradi. Lavrov shtoi se, për Moskën, do të ishte e papranueshme që Serbia të merrte pjesë në armatosjen e Ukrainës dhe theksoi se Vuçiç ka marrë një vendim të posaçëm për ndalimin e aktiviteteve të tilla. Duke komentuar pritjen e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, nga Vuçiç në Beograd, Lavrov tha se kjo mund të jetë një përpjekje e presidentit serb për të zbutur presionin e Bashkimit Evropian.
“Ky presion është arrogant dhe imponues. Sillen sikur tashmë kanë Rajhun e Katërt”, deklaroi Lavrov. Kryediplomati rus komentoi gjithashtu një pyetje të gazetarit gjerman Michael Martens gjatë konferencës së përbashkët për shtyp të Vuçiçit dhe Zelenskyt në Beograd.
Lavrov tha se do të dëshironte të dëgjonte një reagim nga autoritetet serbe lidhur me formulimin e pyetjes së gazetarit për ndihmën evropiane ndaj Ukrainës dhe vrasjen e ushtarëve rusë.
Sipas Lavrovit, Vuçiç u duk i befasuar nga pyetja, ndërsa Moska pret një reagim nga Beogradi, duke iu referuar edhe kontributit historik të Serbisë në luftën kundër nazizmit.










