Kryetari i Bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo, ka vendosur shkrirjen e IMT-së së Himarës, pas rasteve të përsëritura të ndërtimeve pa leje.

Në një prononcim te tij Tavo e ka cilësuar këtë vendim si të domosdoshëm, ndërsa ka bërë të ditur se do t’i kërkojë IKMT-së që të marrë në juridiksionin e saj edhe IMT-në e Himarës.

Sipas Tavos, ky qëndrim lidhet edhe me mungesën e burimeve njerëzore, pasi në strukturën e IMT-së së Himarës (e cila kishte 6 punonjës), ishin të punësuar edhe persona nga zona të tjera.

Kryebashkiaku ka theksuar se punonjësit e institucionit nuk duhet të abuzojnë me detyrën, duke dëmtuar qytetarët që respektojnë ligjin dhe duke lejuar ndërtime pa leje.

Tavo ka bërë të ditur se të gjithë punonjësit janë shkarkuar dhe ka kërkuar nisjen e një hetimi nga Prokuroria për të gjithë personat përgjegjës.

“Për herë të dytë brenda një periudhe prej 1 viti, detyrohem ta shkrij për herë të dytë IMT-në e Bashkisë së Himarës, për arsye të neglizhencës së treguar gjatë ushtrimit të punës së tyre, ku detyra primare është mbrojtja e territorit, ndërkohë që nuk e kanë kryer këtë detyrë. Këtë e tregojnë edhe faktet që në terren ka ndërtime pa leje të konstatuara ditët e fundit, por edhe për mos-veprimin e tyre, ku vetë IMT dhe jo vetëm IMT, por edhe strukturat e tjera shtetërore kanë lejuar ndërtimet pa leje. Kështu vendosa që ta shkrij IMT-në e Himarës, pasi për mua në momentin që kjo strukturë nuk kryen funksionin që i cakton ligji, është e tepërt për Bashkinë Himarë. Do i kërkoj IKMT-së që të marrë përsipër mbulimin edhe të territorit të Himarës me inspektorët e vetë, pasi Bashkia e Himarës, edhe për shkak të mungesës së kapaciteteve njerëzore, detyrohet të marrë punonjës nga jashtë bashkisë”, tha mes të tjerash Tavo.

Kjo është hera e dytë që shkrihet IMT-ja e Himarës, pas problematikave të konstatuara më herët. Tashmë, Bashkia e Himarës do t’i kërkojë IKMT-së që ta marrë IMT-në e Himarës në juridiksionin e saj.