Prishja e ndërtimeve abuzive në zonën e Tregut të Qendrës në Vlorë po vijon, në kuadër të projektit për rehabilitimin e kësaj hapësire. Kryetarja e Bashkisë së Vlorës, Bruna Mersini, thotë se shembja e tyre ishte e domosdoshme për rikthimin e pamjes së ndërtesave historike, të cilat, sipas saj, prej vitesh ishin fshehur nga ndërtimet abuzive.
Në një postim në rrjetet sociale,ku ndau pamje nga aksioni në terren, Mersini shprehet se, të gjitha ndërtimet që i kanë marrë frymën zonës do të shemben sa më parë për të lejuar vijimin e punimeve.
“Ecuria e projektit për rehabilitimin e Tregut të Qendrës së Vlorës dhe rikthimin e pamjes së ndërtesave historike, të fshehura prej vitesh nga ndërtimet abuzive, kërkonte domosdoshmërisht prishjen e këtyre të fundit. Për të mos humbur kohë dhe për t’i hapur rrugë vijimit të punimeve, kemi nisur dhe do të vijojmë me shembjen e të gjithë çibanëve që i kishin marrë frymën zonës” shkruan ajo.










