Orikumi, 15 km larg qytetit të Vlorës është një nga vendet më të bukura të bregdetit shqiptar, ku natyra, deti dhe historia ndërthuren në një peizazh të veçantë.
Plazhet me ujërat e kristalta, pasuritë natyrore dhe trashëgimia historike e bëjnë Orikumin një destinacion tërheqës edhe në këto ditë gushti ku plazhet e tij janë të mbushura me turistë vendas e të huaj.
Çdo vit, vizitorë të shumtë zgjedhin këtë zonë për të pushuar, për të shijuar natyrën dhe për të njohur më nga afër historinë dhe traditat e saj.
Pushuesit që zgjedhin Orikumin mund të njihen me gjurmët e qytetërimeve të hershme dhe me historinë e pasur të këtij territori si dhe ta shfrytëzojnë atë përtë vizituar Parkun Arkeologjik të Orikut, Lagunën e Orikumit, Kishën e Marmiroit, Tragjasin e Vjetër, Parkun e Llogorasë, Dukatin e vjetër etj.
Këto atraksione i japin zonës një vlerë të veçantë turistike, duke ofruar mundësi për të kombinuar pushimet në bregdet me eksplorimin e historisë dhe natyrës.
Një tjetër pasuri e rëndësishme e Orikumit është gastronomia dhe tradita vendase, ku vizitorët kanë mundësinë të shijojnë gatime tradicionale dhe produkte të freskëta të zonës.
Përmes promovimit të produkteve dhe traditave lokale, turizmi ndihmon në ruajtjen e identitetit kulturor të zonës dhe në zhvillimin e ekonomisë vendase.
Orikumi ofron edhe momente të veçanta për ata që kërkojnë qetësi dhe bukuri natyrore. Deti i kaltër, gjelbërimi përreth dhe perëndimet e bukura të diellit krijojnë një atmosferë të veçantë, ku vizitorët mund të largohen për pak nga rutina e përditshme dhe të shijojnë natyrën.
Peizazhi i zonës, sidomos në orët e perëndimit, i jep Orikumit një bukuri që mbetet gjatë në kujtesën e çdo vizitori.
Orikumi është një vend ku natyra, historia dhe deti bashkohen në një peizazh të mrekullueshëm, duke e bërë atë një destinacion të rëndësishëm për turizmin në Shqipëri.










