Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës nuk do të vazhdojë derisa partitë politike të arrijnë një marrëveshje politike, ka thënë më 11 gusht Avni Dehari i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili e kryeson seancën në cilësinë e deputetit më të vjetër të Kuvendit.
Deklarata e tij vjen disa ditë pas përfundimit të afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, të përcaktuar me Kushtetutë, ndërsa partitë vazhdojnë të mos kenë marrëveshje për formimin e institucioneve të reja.
“Seanca e radhës do të thirret sapo të ketë një marrëveshje për zgjidhjen e krizës. Pa një marrëveshje nuk ka kuptim të mbahet seanca vetëm për formalitet”, ka thënë Dehari.
Qëndrim të ngjashëm për nevojën e një marrëveshjeje ka shprehur edhe Lëvizja Vetëvendosje.
Përfaqësues të saj kanë thënë se, para thirrjes së seancës, presin arritjen e një marrëveshjeje politike.
Partitë opozitare, ndërkaq, e kanë kundërshtuar mënyrën se si po zhvillohet procesi dhe e kanë akuzuar partinë më të madhe për shkelje të rendit kushtetues.
Opozita paralajmëron veprime
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) tha më 11 gusht se moskonstituimi i Kuvendit dhe mosvazhdimi i seancës përbëjnë “goditje të drejtpërdrejtë” ndaj rendit kushtetues.
“Kushtetuta nuk është rekomandim. Aktgjykimet nuk janë opsionale. Rregullat vlejnë për të gjithë – edhe për pushtetin”, shkroi PDK-ja, në Facebook, duke paralajmëruar se do ta mbrojë rendin kushtetues “me çdo mjet”.
Një ditë më herët, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, kishte paralajmëruar “një sërë veprimesh ligjore, politike dhe demokratike” për ta kundërshtuar, siç tha ai, degradimin e institucioneve.
PDK-ja deri tani nuk ka specifikuar se cilat do të jenë këto veprime.
Edhe përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) kanë insistuar në respektimin e afateve dhe procedurave kushtetuese, ndërsa LDK-ja është partia e vetme opozitare që ka zhvilluar disa takime me Vetëvendosjen për një marrëveshje të mundshme.










