Telenovela Curtis Jones po shkon drejt fundit; mesfushori anglez është gati të veshë fanellën e Interit. Futbollisti 25 vjeçar që u kërkua nga vetë trajneri i kampionëve të Italisë është me të vërtetë shumë pranë kalimit te Interi.

Negociatat në lidhje me këtë lëvizje u zhbllokuan në orët e fundit falë një tentative të re të klubit milanez që gjeti një marrëveshje verbale me Liverpool për 30 milionë euro plus bonuse për një shifër totale rreth 35 milionë euro për blerjen e kartonit të mesfushorit anglez.

Edhe pse Curtis Jones ishte në vitin e fundit të kontratës së tij me klubin anglez, drejtuesit e The Reds nuk bënë ulje te vlera e kartonit të futbollistit. Interi ka përcaktuar edhe orarin e kryerjes së vizitave mjekësore të Jones, kështu që zyrtarizimi është thjesht çështje kohe.

Përsa i përket marrëveshjes mes Interit dhe vetë Jones nuk ka asnjë problem. Në fakt kontrata për futbollistin prej kohësh është gati dhe pritej vetëm marrëveshja mes dy klubeve. Nëse procedurat burokratike do të mbyllen pa probleme, Curtins Jones do të mund të udhëtojë drejt Milanos për të nënshkruar më pas kontratën me kampionët e Italisë.