Eshtrat e tre alpinistëve të zhdukur që nga fillimi i viteve 1990 janë zbuluar nga një akullnajë që po shkrihet në Alpet Zvicerane në dy zona të ndryshme qindra kilometra larg njëra-tjetrës brenda një periudhe të shkurtër kohore.
Analizat treguan se ato i përkisnin dy alpinistëve belgë, gjurmët e të cilëve ishin humbur në vitin 1992. Të dy burrat ishin atëherë 39 dhe 41 vjeç.
“Krahasimi i drejtpërdrejtë i profileve të ADN-së tregoi zyrtarisht se këta janë dy alpinistë që ishin zhdukur në zonën Weissmies”, thanë autoritetet kompetente.
Policia e Valais mban një dosje për persona të zhdukur që daton që nga viti 1925 dhe kryesisht ka të bëjë me zhdukjet në zona me lartësi të madhe dhe përgjatë lumenjve.
Tërheqja e akullnajave ka çuar vazhdimisht në vitet e fundit në zbulimin e trupave të njerëzve që kishin qenë të bllokuar në akull për shumë vite ose edhe dekada.
Një rast tipik është rasti i një alpinisti zviceran i cili u zhduk në vitin 1994. Eshtrat e tij u gjetën vitin e kaluar në akullnajën Ober Gabelhorn, gjithashtu në kantonin e Valais.
Rasti i dytë u regjistrua në anën austriake të Alpeve, ku u gjetën eshtrat e një alpinisti italian, i cili ishte raportuar i zhdukur në vitin 1991.
Eshtrat u gjetën më 21 qershor në një zonë me zhavorr dhe shkëmbinj në Vorderen Brandjochspitze në vargmalin Nordkette dhe u dërguan në një spital në Innsbruck. Procesi i identifikimit zgjati shumë, por testet e ADN-së përfundimisht treguan se mbetjet i përkisnin një të riu nga Tiroli Jugor, i cili ishte 22 vjeç kur u zhduk në vitin 1991.










