Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e SPAK për të pushuar hetimet ndaj ish-kryetarit të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, duke i dhënë fund një procesi që zgjati deri në vitin 2024. Çështja ishte regjistruar për veprën penale të “fshehjes së pasurisë”.

Pas një sërë veprimesh hetimore dhe verifikimesh të kryera përgjatë muajve, SPAK arriti në përfundimin se elementi i veprës penale nuk ekziston. Në kërkesën e paraqitur, Prokuroria e Posaçme argumentoi se nuk kishte prova që Zaganjori të kishte fshehur apo deklaruar në mënyrë të rreme pasurinë e tij.

Dosja iu dërgua më pas gjyqtarit të fazës paraprake, i cili konfirmoi përfundimet e SPAK dhe miratoi pushimin e çështjes. Me këtë vendim, u vulos përfundimisht rezultati që ish-kryegjyqtari nuk ka kryer vepër penale, duke u çliruar nga akuzat për mosdeklarim apo fshehje pasurie. Vendimi konsiderohet tashmë i formës së prerë.