Në qytetin piktoresk të Luganos, në jug të Zvicrës, përdorimi i Bitcoin po kthehet në një praktikë të përditshme. Në një McDonald’s buzë liqenit, një klient pyet nëse mund të paguajë me Bitcoin dhe shitësi i afron një terminal të posaçëm për pagesa me kriptomonedhë. Pajisje të tilla janë shpërndarë falas nga bashkia për qindra biznese, duke e bërë kriptovalutën një alternativë reale ndaj frangut zviceran.
Aktualisht rreth 350 dyqane, bare dhe restorante në Lugano pranojnë Bitcoin. Madje edhe shërbimet komunale, përfshirë pagesat për kujdesin parashkollor, mund të paguhen përmes kriptomonedhës. Disa përdorues thonë se pagesa me Bitcoin u jep ndjesinë e “lirimit nga sistemi financiar tradicional”, ndërsa të tjerë e shohin atë si thjesht një alternativë më të lirë, pasi komisionet për transaksionet zakonisht janë më të ulëta se ato të kartave bankare.
Iniciativa “Plan B”, e nisur nga bashkia dhe kompania Tether në vitin 2022, synon ta shndërrojë Luganon në qendrën kryesore evropiane të Bitcoin. Drejtoresha e projektit, Mir Liponi, tregon se për 11 ditë ka jetuar vetëm me Bitcoin, duke vërtetuar se në qytet mund të mbulosh shumicën e nevojave bazë pa përdorur para tradicionale, edhe pse pagesat për transportin publik, karburantin dhe faturat e energjisë mbeten ende të pamundura.
Megjithatë, jo të gjithë janë të bindur. Disa banorë shprehin skepticizëm ndaj kriptovalutave, duke i lidhur ato me spekulime dhe rreziqe financiare. Ekspertët paralajmërojnë se luhatja e vlerës së Bitcoin mund të jetë i dëmshëm për tregtarët, të cilëve u rekomandohet konvertimi i menjëhershëm në monedha tradicionale.
Pavarësisht debatit, kryebashkiaku Michele Foletti e vlerëson Bitcoin si një mundësi për inovacion dhe zhvillim ekonomik. Sipas tij, rreth 110 kompani të sektorit të kripto-teknologjisë janë vendosur tashmë në Lugano, duke e kthyer qytetin në një pikë të rëndësishme për industrinë e kriptomonedhave në Europë.
Burimi : BBC




















