Nick Reiner, djali i regjisorit të njohur Rob Reiner dhe Michele Reiner, ndodhet në paraburgim pasi akuzohet për vrasjen e prindërve të tij.

Sipas Qendrës së Informacionit për të Burgosurit të Departamentit të Sherifit të Los Angeles (LASD), 32-vjeçari është akuzuar për një krim të rëndë penal.

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Hollywood-in, pasi legjenda e kinemasë amerikane Rob Reiner dhe bashkëshortja e tij, Michele Singer Reiner, janë gjetur të pajetë në banesën e tyre luksoze në Los Anxhelos.

Sipas autoriteteve amerikane, të dy viktimat dyshohet se janë goditur për vdekje me thikë, ndërsa hetimet po përqendrohen te djali i tyre, Nick Reiner, 32 vjeç, i cili pasi u mor në pyetje nga policia u dërgua në paraburgim.

Sipas burimeve policore, Reiner, 78 vjeç, regjisor i nominuar për çmimin Oscar, dhe Michele Singer Reiner, 68 vjeç, u gjetën me plagë fatale të shkaktuara nga goditje të shumta me mjet prerës brenda rezidencës së tyre në Brentwood, një nga zonat më ekskluzive të Kalifornisë. Banesa, e vlerësuar rreth 13.5 milionë dollarë, nuk paraqiste shenja thyerjeje apo hyrjeje me forcë.

Trupat u zbuluan nga vajza e tyre, Romy Reiner, e cila banon përballë prindërve dhe kishte shkuar t’i vizitonte. Ajo kishte publikuar vetëm pak ditë më parë fotografi me të atin gjatë pushimeve, shoqëruar me një mesazh emocional për familjen.

Nick Reiner ka folur publikisht në të kaluarën për problemet e tij me varësinë nga droga. Në një intervistë të vitit 2016, ai pranoi se kishte hyrë për herë të parë në rehabilitim në moshën 15-vjeçare dhe se varësia e kishte çuar edhe në situata të vështira jetese, përfshirë periudha pa strehë. Prej vitesh ai është mbajtur larg vëmendjes publike.

Zëvendësshefi i Policisë së Los Anxhelosit, Alan Hamilton, deklaroi se hetimet do të vazhdojnë pa ndërprerje dhe se disa anëtarë të familjes po intervistohen për të ndihmuar në zbardhjen e plotë të ngjarjes. Ndërkohë, Kapiteni i LAPD-së, Mike Bland, e ka cilësuar çështjen si një “homicid të dukshëm”, duke konfirmuar përfshirjen e Njësisë së Krimeve të Rënda.

Vdekja e Rob Reiner shënon humbjen e një prej figurave më të rëndësishme të industrisë së filmit amerikan. Ai u bë i njohur fillimisht si aktor në serialin legjendar “All in the Family”, përpara se të ndërtonte një karrierë të jashtëzakonshme si regjisor me filma ikonikë si This Is Spinal Tap, The Princess Bride, When Harry Met Sally dhe A Few Good Men. Ai ishte gjithashtu bashkëthemelues i Castle Rock Entertainment, kompania që qëndron pas sukseseve si Seinfeld dhe The Shawshank Redemption.

Michele Singer Reiner ishte producente dhe fotografe e njohur, e famshme edhe për fotografinë e Donald Trump që u përdor në kopertinën e librit Trump: The Art of the Deal. Çifti ishte i martuar që prej vitit 1989 dhe kishte tre fëmijë.

Në një deklaratë zyrtare, një përfaqësues i familjes tha:

“Jemi thellësisht të tronditur dhe të pikëlluar nga kjo humbje e papritur. Kërkojmë privatësi në këtë moment jashtëzakonisht të vështirë.”

Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet pritet të hedhin më shumë dritë mbi rrethanat e kësaj ngjarjeje që ka tronditur jo vetëm familjen Reiner, por edhe mbarë botën e kinemasë.