Fitorja me Flamurtarin konfirmoi momentin e mirë që po kalon Partizani në fazën e dytë të Abissnet Superiore. Nën drejtimin e trajnerit Oltijon Kërnaja, të kuqtë kanë pasur një ecuri mjaft të mirë, që i ka ngjitur në renditje, duke i çuar 3 pikë larg zonës së “Final 4”.

Kanë mbetur edhe dy ndeshje nga viti 2025, që për Partizanin do të jenë edhe një provë pjekurie. Kryeqytetasit luajnë këtë fundjavë në Rrogozhinë, përballë Egnatias kampione në fuqi, gjithashtu në një moment shumë të mirë. Vetëm 4 ditë më pas do të luhet derbi me Dinamo City tek “Arena e Demave”.

Janë 180 minuta shumë të rëndësishme për të kuqtë, të cilët do të certifikoheshin si pretendentë seriozë për 4-shen e parë, nëse do t’i kalonin me sukses dy ndeshjet me dy nga skuadrat më të mira të Abissnet Superiore.

Fazën e parë të kampionatit Partizani ka parazuar pa gola me Egnatian në kryeqytet, kurse nga Dinamo City u mund 0-2 në “Elbasan Arena”. Tani situata ka ndryshuar, skuadra e kuqe duket më e konsoliduar, por një përgjigje më të saktë për forcën reale të saj do ta japin pikërisht këto 180 minuta.