Ekipet e bashkisë Vlorë janë angazhuar për pastrimin e Vjosës në zonën e Novoselës.

Kryeministri Edi Rama ndau sot momente nga pastrimi duke vënë në dukje se pastrimi është mesazh kuptimplotë se kujdesi për zonat e mbrojtura është një mision i përbashkët për të mbrojtur natyrën, biodiversitetin dhe bukuritë e peizazhit.

Stafet e administratave të zonave të mbrojtura dhe stafet e bashkive po zhvillojnë pastrime në të gjithë territorin.

Ky pastrim ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin për ruajtjen e ambientit, të përmirësojë gjendjen e ekosistemeve dhe të nxisë një kulturë të qëndrueshme mjedisore në nivel lokal dhe kombëtar.

Lumi Vjosa është shpallur “Park Kombëtar” nga qeveria shqiptare në mars të vitit 2023. Ai është ndër lumenjtë më të mëdhenj të Shqipërisë, sidomos për sa i përket prurjeve të shumta ujore. Me një gjatësi prej 272 km, Vjosa rrjedh nga malet e Pindit në Greqi dhe përshkon territorin shqiptar deri në derdhjen në detin Adriatik.