SPAK ka bërë publik raportin e transparencës për muajin nëntor, ku njofton se i është përgjigjur gjithsej 6 kërkesave për informacion nga media dhe publiku.
Lidhur me interesimin për dosjen e abuzimit me fondet IPARD, Prokuroria e Posaçme thekson se veprimet hetimore janë në fazën e hetimit paraprak dhe përbëjnë sekret hetimor, ndaj nuk mund të jepen detaje.

Sa i përket pretendimeve për konflikt interesi mbi cilësinë e ish-anëtares së Vettingut në drejtësi, Pamela Qirko, si avokate e zv/kryeministres Belinda Balluku, SPAK sqaron se këto pretendime nuk gjejnë mbështetje në kuadrin ligjor në fuqi.

Në dy raste të ndryshme, SPAK është pyetur nëse ka hetim pasuror për vëllezërit Hysa, me aktivitet në fushën e kazinove në Meksikë dhe Kanada, të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për këtë çështje, Prokuroria e Posaçme përgjigjet se “nuk ka informacion për të ndarë”.
SPAK bën të ditur gjithashtu se dosja e atentatit në Rinas, ku u ekzekutuan Gilmando Dani dhe Mustafa Sheqeri, nuk i ka kaluar për kompetencë, ashtu si edhe rasti i zbulimit të një arsenali armësh gjatë kontrolleve të kryera pak ditë pas ngjarjes.

Në raportin e transparencës, Prokuroria e Posaçme ka dhënë përgjigje edhe për pyetjet lidhur me akuzat dhe procedimet penale të regjistruara ndaj biznesmenit të arrestuar Pëllumb Gjoka.