Një tregues i identitetit të Barcelonës së Hansi Flick, është uria e saj për të shënuar. Trajneri gjerman gjithnjë i kërkon skuadrës së tij të sulmojë portën kundërshtare, pavarësisht rezultatit në fushën e lojës dhe kjo i ka lejuar katalanasit të regjistrojnë shifra të frikshme në fazën sulmuese të lojës.
Gjatë këtij viti, Barcelona ka shënuar 169 gola në 60 ndeshje të zhvilluara në të gjitha kompeticionet. Skuadra blaugrana është ‘vrasëse’ sidomos në La Liga ku gjatë këtyre 12 muajve ka shënuar 102 gola në 37 ndeshje me një mesatare prej 2.75 golash për ndeshje.
Në periudhën gusht-dhjetor katalanasit kanë në bilancin e tyre 67 gola nga të cilat, 51 në La Liga, 14 në Ligën e Kampioneve dhe dy në Kupën e Mbretit. Gjatë këtij sezoni spikasin 6 golat e shënuar nga Barcelona ndaj Valencias dhe Olympiacosit, 5 ndaj Betisit, 4 ndaj Athletic Bilbaos dhe Celta Vigo. Nga 25 ndeshje të zhvilluara në sezonin 2025/26, në 13 prej tyre skuadra e Flick ka shënuar të paktën 3 gola. Përsa i përket 7 muajve të parë të vitit bien në sy 7 golat e shënuar ndaj Valencias, 5 ndaj Realit të Madridit, Betisit, Benficas…
Këto 169 gola është shifra më e lartë e regjistruar nga Barcelona që nga 2016. Në atë vit, kur në pankinë ishte Luis Enrique, kuota e golave të shënuar ishte 174 me një mesatare prej 2.94 ndeshjesh për ndeshje. Për më tepër, në 2016, treshja sulmuese e formuar nga Messi, Suarez dhe Neymar, ishin ata që shënuan shumicën e golave te katalanasit. Në 2025, emrat më të dalluar janë Lewandowski, Ferran Torres, Raphinha, Lamine Yamal dhe Fermín Lopez.
Por këto shifra do të ishin akoma më spektakolare për Barcelonën po të mos ishin shtyllat. Gjatë këtij viti, futbollistët blaugrana janë ndalur plot 36 herë nga shtyllat, hera e fundit ka qenë në sfidën ndaj Villarrealit në La Ceramica me Raphinhan. Nga këto 36 shtylla, 17 i takojnë këtij sezoni, 15 në kampionat dhe 2 në Ligën e Kampioneve. Në këtë aspekt për të parë një statistikë të tillë duhet të kthehemi pas në kohë, në 2018, kur Barcelona u ndal nga shtyllat plot 40 herë.




















