Nga Enver Robelli/ 

Mbi zgjedhjet në Kosovë dhe mësimet që duhet të nxjerrin të gjitha partitë.

Zgjedhjet përfunduan. Fatmirësisht pa ndonjë incident. Në mënyrë të rregullt e demokratike. Shumica e kryetarëve të partive dhanë deklaratat e tyre të para. Ishin kryesisht të matura. Tani të gjithë janë përgjegjës edhe për veprimet në ditët dhe javët e ardhshme.

10 muajt e fundit do të hyjnë në histori si periudhë e palavdishme e jetës politike të Kosovës. Secili duhet të nxjerrë mësime të rëndësishme nga kjo periudhë. Polarizimi ekstrem dhe toksik i viteve të fundit ishte i pashembullt. Shumëkush sot e mori faturën nga qytetarët e Kosovës. Shpresoj se çdokush do t’i kthehet rolit të vet në shërbim të vendit.

Besueshmëria arrihet vetëm duke ruajtur e mbrojtur vlerat themelore demokratike dhe të qeverisjes së mirë, të cilat duhet të përkthehen në barazi, solidaritet, qëndrueshmëri ekonomike, sociale dhe ekologjike.

Duhet të marrë fund faza e drejtimit të gishtit nga të tjerët dhe ikja nga përgjegjësia me arsyetime banale. Partia fituese e zgjedhjeve bart si barrën ashtu edhe përgjegjësinë më të madhe për mbarëvajtjen e punëve të shtetit. Përparimi e suksesi arrihen vetëm me një ekip prej të cilit vetë partia dhe kryeministri i ardhshëm kërkon llogaridhënie. Pa një ekip të aftë në punët shtetërore dhe pa menaxherë që nuk kanë frikë të përshkruajnë e zgjidhin problemet për shkak të kalkulimeve elektorale, vendi rrezikon të stagnojë. Jo krekosja, por modestia duhet të jetë parim udhëheqës.

Zgjedhjet janë një festë e demokracisë, por problemet janë këtu, akute, të pazgjidhura.

Në fushën e arsimit Kosova shtyhet për vendin e fundit apo të parafundit në Europë.

Ndotja e ambientit është alarmante.

Papastërtia nëpër qytete, fshatra e lumenj është ulëritëse.

Sistemi shëndetësor mbetet një gërmadhë me shumë humnera, andaj mijëra qytetarë të Kosovës çdo vit lënë miliona euro në spitale të shteteve të tjera për trajtim.

Sa i përket varfërisë Kosova zë një vend të turpshëm në Europë.

Planifikimi urban pothuaj nuk e meriton këtë emër, rrjedhimisht kaosi në hapësirën publike është i madh.

Urgjentisht duhet një debat i gjerë shoqëror mbi sfidat në sektorin energjetik. Vetëm administrimi i gjendjes aktuale do të ketë pasoja fatale.

Administrata duhet të profesionalizohet për të kryer shërbimet ndaj qytetarëve.

Drejtësia duhet të reformohet, të profesionalizohet dhe të jetë maksimalisht e pavarur.

Qeveria e ardhshme duhet ta marrë seriozisht komunikimin me opinionin publik. Nuk zhvillohet komunikimi vetëm nëpërmjet mediave sociale. Ky lloj komunikimi kryesisht është propagandë. Në shtetet serioze qeveria i del përballë mediave profesionale dhe qytetarëve dhe përgjigjet në çdo pyetje, së paku njëherë në javë.

Në politikën e jashtme duhet një qasje e re, aktive dhe duke pasur gjithnjë parasysh rëndësinë e ruajtjes së raporteve të mira me shtetet që janë bashkëthemeluese të shtetësisë së Kosovës. Kjo nuk bëhet pa investim në lobim. Bota që e ka çliruar Kosovën më 1999 nuk ekziston më. Andaj nuk duhet jetuar në përralla.

Duhet të gjendet një model tjetër për përfaqësimin e diasporës, ta zëmë me 3 deri 6 deputetë, të cilët do të përfaqësonin interesat legjitime të saj. (Të shikohet pak nga Kroacia, për shembull). Polarizimi i mëtejshëm dhe hedhja e benzinës në zjarr me deklarata plot helm do të ngjallin edhe më shumë mllef dhe shkaktojnë tensione brenda një kombi, gjysma e të cilit jeton jashtë Kosovës.

Forcimi i kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës është i rëndësishëm, por nuk duhet të përdoret si propagandë inflacionare dhe si maskë për të fshehur mospunën dhe paaftësinë në fusha të tjera jetike për qytetarët e Kosovës – e jetike është edhe ndërtimi i një ure brenda një afati të arsyeshëm ose mirëmbajtja e autostradës dhe shumë e shumë punë të tjera që presin të kryhen.

Nuk mund të ketë investime në një vend ku ministrat sillen si babadimra që shpërndajnë para. (Nuk janë të tyret, të qytetarëve).

Qeveria largpamëse i harxhon paratë e buxhetit. I harxhon duke kryer punë të mira, duke bërë investime, duke u marrë me ndërtime të infrastrukturës dhe digjitalizim të administratës. Qeveritë nuk zgjidhen për të kursyer para. Kjo është punë e atyre që merrem me mbarëvajtjen e amvisërisë në shtëpi private.

Duhet të rimendohet dhe në bashkëpunim me BE-në dhe faktorë të tjerë të modernizohet komplet sistemi i prokurimeve publike, i cili është burim korrupsioni po aq sa edhe çerdhe e paaftësisë dhe dembelisë.

Kosova nuk ka kohë për kriza të reja.

Kosova ka nevojë urgjente për pushtetarë të përgjegjshëm. Kjo mund të arrihet vetëm në normalizim të raporteve me opozitën (pa marrë parasysh kush do të jetë në opozitë). Në çështjet e rëndësisë kombëtare do të duhej të ketë pajtim ndërpartiak. Këtu duhet të hyjë edhe çështja e dialogut me Serbinë. Sepse kjo çështje nuk i përket vetëm qeverisë. Pas çdo vendimi, duken pasojat. E, pasojat janë për të gjithë. Kush thirret nonstop në popull, duhet ta dëshmojë këtë duke komunikuar e bashkëpunuar edhe me opozitën – ajo është një pjesë shumë e rëndësishme e popullit dhe duhet trajtuar me respekt nëse opozita sillet brenda kornizave normale të politikës. Kjo vlen, natyrisht, edhe për atë parti a koalicion që do të qeverisë. Akuzat se kush i shërben më shumë Beogradit, të shoqëruara edhe nga klithmat e ndonjë huligani publik, e bëjnë të pamundur çdo konsenzus dhe ndërtim të besimit të ndërsjellë.

Të gjitha partitë politike duhet të mendojnë dhe të bien dakord që presidenti të zgjidhet direkt nga qytetarët me të drejtë vote, në mënyrë që të evitohen zgjedhje të parakohshme parlamentare për shkak të mospajtimeve rreth kandidatit. Me vetë faktin se kandidati bëhet pjesë e pazareve politike të kthinave partiake, ai s’mund të jetë përfaqësues i unitetit të popullit, siç pretendon Kushtetuta. Për ta bërë këtë, duhet pjekuri politike. Nuk është e tepërt që kjo të kërkohet më shumë se 25 vjet pas luftës.

Euforia e fitores përfundon shpejt.

Dhe e mira e demokracisë është: zgjedhjet mbahen në çdo katër vite. Nganjëherë edhe më shpesh.