Të blesh një apartament në Tiranë sot është më e vështirë se tre vite më parë, për shkak të rritjes së shpejtë të çmimeve që nuk ndjekin rritjen mesatare të të ardhurave të familjeve të shtresës së mesme.

Aktualisht projektet më të reja në afërsi të zonave periferike po shiten me çmime deri në 2,000 euro/m² (projekti Tirana Tower me dy kulla që po ndërtohet në Porcelan), ndërsa në ish-Bllok, çmimi i apartamenteve ka arritur në 5,500 euro/m².

Në Shqipëri, paga mesatare mujore bruto për vitin 2024, sipas INSTAT, arriti në 77,5 mijë lekë në muaj, ose rreth 770 euro. Pagat në Shqipëri mbeten rreth 30% më të ulëta se në vendet e tjera të rajonit, ku kryeson Serbia, me pagë mesatare bruto prej 1,150 eurosh në muaj.

Teksa të ardhurat vijojnë të mbeten në vendnumëro, rritja e çmimeve të apartamenteve nuk ndalet, duke e bërë të pamundur për shtresën e mesme sipas ekspertëve që të përballojë blerjen e një apartamenti.

Brenda 9 muajve të 2025-s, sipas të dhënave të zyrave të shitjeve në terren, çmimet e apartamenteve në disa zona të kryeqytetit kanë shënuar rritje të shpejtë. Krahasuar me muajin shkurt 2025, çmimet janë rritur nga 10% deri në 33%, në varësi të zonës dhe objektit.

Të dhënat e matjeve nga disa idekse njëherësh tregojnë që në Tiranë, rritja e çmimeve të apartamenteve është përshpejtuar. Në 6-mujorin e parë të 2025-s, të dhënat e Indeksit Fischer të Bankës së Shqipërisë, treguan se çmimet e banesave në vend u rritën me 14.6% në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar, dhe me 41.7% në krahasim me 2024.

Deri në qershor 2025, sipas indeksit “Keydata”, çmimi mesatar për një metër katror apartament arriti në 1,830 euro. Çmimi mesatar është llogaritur mbi bazë të dhënash për çmimet e apartamenteve ekzistuese, pra për ndërtesa të ndërtuara 5, 10 apo 15 vite më parë.

Në krahasim me 2005-n, viti më i hershëm kur ka filluar llogaritja, çmimet janë 2.8 herë më të larta. Çmimi mesatar i apartamenteve në 20 vite është gati trefishuar krahasuar me vitin 2005.

Në 2024, Shqipëria u rendit gjithashtu ndër vendet që kanë shënuar rritjen më të lartë të çmimeve në Europë, sipas raportit “Për indeksin e pasurive të paluajtshme 2025”, i hartuar nga kompania ndërkombëtare “Deloitte”.

Në raport theksohej se çmimi mesatar i shitjeve të apartamenteve në vend arriti në 1,620 euro/m². Krahasuar me 2023, çmimi mesatar u rrit me rreth 17%. Në raport, Shqipëria renditej e dyta pas Polonisë për rritjen më të lartë të shitjes së pronave.

Në Poloni, niveli i rritjes ishte 19.3%, por sipas ekspertëve theksohet se kjo rritje u ndikua nga zbatimi i politikave subvecionuese të shtetit për strehim.

Sipas të dhënave të indeksit të “Deloitte”, në Tiranë, çmimi mesatar i shitjes së apartamenteve arriti në 2,000 euro/m². Në zonat e qendrës si ish-Blloku apo sheshi “Skënderbej”, çmimet mesatare të shitjes arritën nga 3,000 deri në 3,500 euro/m².

E llogaritur nga “Monitor”, sipas metodologjisë së prezantuar nga “Deloitte”, sot, për të blerë një apartament 70 metër katror në Tiranë, një qytetari shqiptar i nevojiten rreth 19 paga vjetore bruto, shumë më tepër sesa në qytetet më pak të përballueshme të Europës si Athina apo Amsterdami.
Për shkak të ritmit të shpejtë të çmimeve që nuk ndjekin rritjen e të ardhurave të familjeve, Stela Dhami nga “Colliers Albania”, vë në dukje se përballueshmëria e blerjes së një apartamenti në Shqipëri është më e ulët sesa në vendet e Bashkimit Europian.

“Në Shqipëri, raporti midis çmimit të shitjes së pasurisë së paluajtshme me të ardhurat mesatare është një raport i largët. Një çifti me të ardhura mesatare i duhen diku te 15–19 vite për të blerë një apartament.

Standardi në vendet e BE-së, duke marrë një mesatare, varion midis 10–12 viteve. Ka shumë faktorë që hyjnë në këtë analizë, por kryesorët janë: çmimet e larta të pasurive të paluajtshme në raport me të ardhurat mesatare familjare; kostot e larta të kredive hipotekore, të cilat mbeten me kushte financiare të vështira për xhepin e familjeve shqiptare”.

Edhe për ekspertin e ekonomisë, Elvin Meka, njëkohësisht edhe Dekan i Fakultetit të Ekonomisë në “Tirana Business University”, blerja e një apartamenti është bërë e papërballueshme për shtresën e mesme në Tiranë, për shkak të rritjes së çmimeve që nuk sinkronizohet me rritjen e të ardhurave.

“Ky kërcim i fortë i çmimeve të banesave e ka rritur ndjeshëm trysninë mbi të gjithë qytetarët shqiptarë, rezidentë në Shqipëri, e veçanërisht banorët e kryeqytetit, të cilët përballen tashmë me një treg të pasurive të paluajtshme thuajse i papërballueshëm dhe i aksesueshëm, në një pjesë të mirë të ofertës së tij, nga pjesa më e madhe e popullatës me të ardhura të mesme dhe të ulëta.

Sot është e dukshme që, personat dhe familjet me të ardhura mesatare, e kanë të pamundur t’i përgjigjen nivelit aktual të çmimeve të banesave, jo vetëm në zonat qendrore, por dhe ato periferike, ku çmimet vijojnë të rriten thuajse në sinkron me ritmin e rritjes së tyre në zonat qendrore dhe ato të parapëlqyera”, pohon ai.

Përveç kostove të larta për blerjen e një apartamenti në Tiranë, edhe përballueshmëria e qirasë mujore mbetet një sfidë e madhe për familjet. Çmimet në rritje të tregut të banesave po ndikojnë drejtpërdrejt në buxhetin familjar, duke e bërë strehimin gjithnjë e më të papërballueshëm për një pjesë të madhe të qytetarëve.