Shkrimtarja dhe akademikia Lea Ypi, në një intervistë ekskluzive për TemA dhe Apostrof Podcast, ofroi ndër të tjera edhe një diagnozë të mprehtë të një prej ideologjive dominuese që po ka formësuar shumicën e shoqërive bashkëkohore, përfshi edhe atë shqiptare dhe që lidhet me moralizimin e suksesit dhe të dështimit.
Sipas Ypit, shoqëritë moderne e gjithnjë e më shpesh e shohin pasurinë dhe suksesin si arritje individuale, ndërsa varfëria dhe përjashtimi shoqëror trajtohen si dështime personale.
“Ne kemi një shoqëri që ai që arrin dhe bëhet i pasur, bëhet i suksesshëm, merr gjithë meritat për këtë dhe thuhet dhe triumfon pikërisht si individ shembull i kësaj sipërmarrjeje të suksesshme. Dhe nga ana e kundërt, anasjelltas, ai që nuk arrin shihet si viktimë e pamundësisë, paftësisë, pazotësisë së tij.”
Ypi argumenton se një kornizë e tillë shkon përtej deformimit të realitetit, pasi bllokon çdo mundësi për veprim politik kolektiv. Në momentin kur merita dhe faji individualizohen, përgjegjësitë strukturore zhduken nga debati publik.
Ndërsa kjo logjikë është mjaft e dukshme në shoqërinë shqiptare, Ypi thekson se nuk është një fenomen unik për ne. Përkundrazi, ai reflekton një narrativë më të gjerë neoliberale, e cila ka riformësuar imagjinatat politike përtej kufijve. Në këtë kuptim, Ypi e përshkruan krizën aktuale të së majtës si një krizë narrative se sa thjesht si një krizë idesh. Pavarësisht dështimeve ekonomike, politike dhe demokratike në rritje, interpretimet progresiste e kanë të vështirë të triumfojnë përballë shpjegimeve të së djathtës, e cila redukton konflikte komplekse në çështë kulturore dhe emigracioni.
“Është një nga arsyet, mendoj, që e majta në botë është në krizë… Fakti që një lexim i majtë i këtyre konflikteve nuk arrin që të triumfojë nga ana e narrativës, në krahasim me një lexim të djathtë që redukton çdo konflikt…”/TEMA




















