Udhëheqësja e opozitës venezueliane sheh zgjedhje të ardhshme, por paralajmëron për një rrugë të ndërlikuar përpara

Udhëheqësja e opozitës, Maria Corina Machado, tha të premten se është e bindur se mbetjet e asaj që ajo e quajti “regjim kriminal” i Venezuelës do të çmontohen përfundimisht dhe se do të ketë një tranzicion të rregullt drejt zgjedhjeve të lira, por paralajmëroi se rruga përpara do të jetë e vështirë dhe komplekse.

Machado foli për gazetarët një ditë pasi u takua me presidentin Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, ku ajo i dhuroi atij medaljen e Çmimit Nobel për Paqen, në përpjekje për ta bindur që t’i japë opozitës një rol në përcaktimin e së ardhmes së Venezuelës, pas rrëzimit nga SHBA të udhëheqësit afatgjatë Nicolas Maduro.

Trump ka mbështetur ish-besnikë të Maduro-s, të udhëhequr nga presidentja e përkohshme Delcy Rodriguez, për të qeverisur për momentin vendin anëtar të OPEC-ut, në vend të Machado-s, lëvizja e së cilës u pa gjerësisht si fituesja legjitime e zgjedhjeve të vitit 2024, për të cilat Maduro u akuzua se i manipuloi.

E bindur për një kalim të rregullt drejt zgjedhjeve
Që nga bastisja e shpejtë e 3 janarit që rrëzoi Maduro-n, Trump ka përparësuar sigurimin e aksesit në rezervat e mëdha të naftës së Venezuelës, e jo rikthimin e demokracisë në vend, dhe e ka bërë të qartë se e sheh udhëheqjen aktuale si bastin më të mirë për ruajtjen e rendit.

Vizita e Machado-s në Uashington ka bërë pak për të sqaruar ndonjë rol që ajo mund të ketë në ndryshimet që po ndodhin në Venezuelë. Ajo tha se, në takimin me Trump-in, këmbënguli për t’u kthyer sa më shpejt në Venezuelë, por nuk përmendi ndonjë marrëveshje konkrete me SHBA-në.

Pavarësisht shenjave se administrata Trump po thellon lidhjet me qeverinë e Rodriguez-it, Machado dha një vlerësim kryesisht optimist.

“Jam thellësisht, thellësisht e bindur se do të kemi një tranzicion të rregullt (drejt zgjedhjeve),” tha ajo në një konferencë për shtyp, por theksoi se procesi do të kërkojë kohë për t’u zhvilluar.

“Kjo nuk ka të bëjë fare me tensione apo marrëdhënie mes Delcy Rodriguez dhe meje,” tha ajo, por këmbënguli se një “strukturë kriminale” që ka dominuar Venezuelën prej vitesh do të çmontojë veten përfundimisht. Ajo nuk dha detaje se si do të ndodhte kjo.

Machado e quajti udhëheqësen e re të Venezuelës “komuniste” dhe tha se Rodriguez ka frikë nga Trump-i dhe mban një pozicion të paqëndrueshëm si kreu i një sistemi “represiv”, por që nuk përfshin ushtrinë.

Qeveria e Rodriguez-it nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Drejtori i CIA-s takohet me Rodriguez-in
Në të njëjtën kohë me vizitën e Machado-s në Shtëpinë e Bardhë të enjten, drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, fluturoi drejt Karakasit, vizita më e lartë e njohur amerikane që nga rrëzimi i Maduro-s dhe një tjetër shenjë se të dyja palët po përpiqen të fitojnë favorin e administratës Trump. Në një foto që qarkulloi në rrjetet sociale, të dy shihen duke shtrënguar duart, të rrethuar nga disa persona, me Rodriguez-in e veshur me një kostum pantallonash jeshile të ndezur dhe atlete.

Machado shprehu mirënjohje ndaj Trump-it dhe shmangu çdo kritikë të drejtpërdrejtë ndaj qasjes së tij për Venezuelën pas Maduro-s, një qasje që ka zhgënjyer shumë figura të opozitës në vend.

Trump shkroi në platformën e tij Truth Social se Machado është një “grua e mrekullueshme që ka kaluar shumë” dhe se dhurimi i medaljes së Çmimit Nobel për Paqen ishte “një gjest i mrekullueshëm respekti të ndërsjellë”. Shtëpia e Bardhë më pas publikoi një foto të Trump-it, përkrah Machado-s, duke mbajtur një kornizë të madhe ngjyrë ari ku shfaqej medalja.

Në kërkim të favorizimit të Trump-it
Përpjekja e Machado-s për të fituar mbështetjen e Trump-it në takimin e tyre të parë ballë për ballë erdhi pasi ai hodhi poshtë idenë e vendosjes së saj si udhëheqëse e Venezuelës për të zëvendësuar Maduro-n, i cili u dërgua në Nju Jork për t’u përballur me akuza për “trafik droge”.

Gjatë vizitës, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se Trump qëndronte pas vlerësimit të tij “realist” se Machado aktualisht nuk ka mbështetjen e nevojshme për të udhëhequr vendin në afat të shkurtër.

Duke refuzuar të japë detaje për bisedimet me Trump-in, Machado pranoi se “mund të ketë disa faza që nuk i kishim parashikuar ose që nuk na pëlqejnë”. Megjithatë, ajo pohoi se opozita po merr pjesë në tranzicionin e Venezuelës, pa dhënë hollësi.

Machado, e cila u largua nga vendi i Amerikës së Jugut në dhjetor përmes një arratisjeje të guximshme detare, po konkurron për vëmendjen e Trump-it me anëtarë të qeverisë venezueliane dhe po përpiqet të sigurojë një rol në qeverisjen e ardhshme të vendit.

Trump ka lavdëruar në disa raste Rodriguez-in, ish-zëvendëspresidenten e Maduro-s, dhe i tha Reuters-it të mërkurën: “Ajo ka qenë shumë e mirë për t’u marrë”.

Ratcliffe u takua me Rodriguez-in me urdhër të Trump-it “për të përcjellë mesazhin se Shtetet e Bashkuara presin një marrëdhënie pune të përmirësuar”, sipas një zyrtari amerikan.

Të dy diskutuan bashkëpunimin në fushën e inteligjencës, stabilitetin ekonomik dhe nevojën që Venezuela të mos jetë më një “strehë e sigurt për armiqtë e Amerikës, veçanërisht trafikantët e drogës”, tha zyrtari amerikan.

Machado u ndalua të kandidonte në zgjedhjet presidenciale të Venezuelës në vitin 2024 nga një gjykatë e lartë e mbushur me aleatë të Maduro-s dhe u detyrua të fshihej.

Vëzhgues të jashtëm besojnë gjerësisht se Edmundo Gonzalez, një figurë opozitare e mbështetur nga Machado, fitoi me një diferencë të madhe, por Maduro shpalli fitoren.

Shumë aleatë të Machado-s dhe Gonzalez-it u burgosën pasojat e zgjedhjeve, ndërsa grupi i të drejtave të njeriut Foro Penal vlerëson se rreth 800 të burgosur politikë ndodhen në vend. Mes tyre është Rafael Tudares, bashkëshorti i vajzës së Gonzalez-it, Mariana Gonzalez, i cili u ndalua në janar 2025. Mariana Gonzalez tha të premten se autoritetet e lejuan të fliste me Tudares-in për 25 minuta përmes një xhami antiplumb dhe se e gjeti atë në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Rafaeli ishte dukshëm i prekur, si fizikisht ashtu edhe emocionalisht,” shkroi ajo në një postim në rrjetet sociale. “Izolimi dhe largimi nga fëmijët nuk janë kushte njerëzore për askënd.”

Në një fjalim vjetor para ligjvënësve të enjten, Rodriguez bëri thirrje për diplomaci me Shtetet e Bashkuara dhe tha se, nëse do t’i duhej të udhëtonte në Uashington, do ta bënte këtë “duke ecur me këmbët e mia, jo e tërhequr zvarrë”.

Ajo tha gjithashtu se do të propozojë reforma në industrinë e naftës të vendit, që synojnë rritjen e aksesit për investitorët e huaj. Ky ndryshim i mundshëm vjen në një kohë kur kompani ndërkombëtare të naftës po lobojnë për ndryshime në ligjin venezuelian që do t’u jepnin atyre të drejtën të eksportojnë lirshëm naftën e prodhuar në vend./Reuters