Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se gjatë vitit 2025 Shqipëria ka shënuar një rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve të huaj.
Sipas të dhënave zyrtare, vendi u vizitua nga 12 446 038 turistë të huaj, ose 6.6% më shumë krahasuar me vitin 2024, që përkthehet në 769 960 vizitorë shtesë.
Gonxhja u ndal edhe te tregjet kryesore hyrëse.
“Kosova mbetet tregu kryesor rajonal, me 4 662 571 vizitorë, duke shënuar një rritje prej 5.3%, çka konfirmon stabilitetin e flukseve hyrëse. Rritje është vërejtur edhe nga tregje të tjera të rëndësishme si Italia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Greqia.
Një performancë veçanërisht pozitive është regjistruar nga tregjet e vendeve të Bashkimit Evropian, me një rritje prej 29.9% krahasuar me vitin e kaluar.”
“Gjatë vitit 2025 janë administruar 1 014 parcela publike, ose 94% më shumë se në vitin 2024. Po ashtu, sipërfaqja e plazheve publike është rritur me 1.1 milion m², që përfaqëson një rritje prej 17.4% krahasuar me një vit më parë”, tha për infrastrukturën dhe plazhet publike.
Zhvillimi i strukturave turistike
Rezultatet rekord janë mbështetur edhe nga rritja e kapaciteteve akomoduese, të cilat janë zgjeruar me 16.2%, si dhe nga shtimi i certifikimeve dhe akreditimeve në sektorin e turizmit.
Sipas ministrit, vizitat në sitet e trashëgimisë kulturore kanë sjellë rritje të ndjeshme të të ardhurave. Gjatë vitit 2025 janë realizuar: 309% më shumë projekte restaurimi, 363% më shumë investime në monumentet e kulturës dhe 52% më shumë ngjarje kulturore. Ministri Gonxhja përmendi gjithashtu organizimin e Giro d’Italia në Shqipëri, një ngjarje sportive madhore e transmetuar drejtpërdrejt në mbi 200 shtete, duke rritur ndjeshëm promovimin ndërkombëtar të vendit.
“Sfida nuk është të kemi vetëm një numër më të lartë turistësh, por të garantojmë një përvojë unike për secilin prej tyre në Shqipëri”, u shpreh ministri.


















