Në 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka uruar qytetarët përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, të shoqëruar me një album fotografik nga vizita e tij e një dite më parë në Prishtinë.

“MIRËMËNGJES dhe me FotoALBUMIN e vizitës sime dje në Prishtinë, i uroj Kosovës gëzuar pavarësinë”, shkruan Rama, duke shprehur njëkohësisht keqardhjen për mungesën e tij në manifestimin popullor të solidaritetit për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Kreu i qeverisë shqiptare thekson se nuk mund të jetë i pranishëm në tubimin në mbështetje të “katër pengjeve të UÇK-së”, siç i cilëson ai, në procesin që po zhvillohet në Gjykatën Speciale.

Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008, duke shënuar një nga momentet më të rëndësishme në historinë e saj moderne. Këtë vit, përvjetori shoqërohet me aktivitete festive, homazhe dhe mesazhe uniteti nga liderë politikë në Prishtinë, Tiranë dhe më gjerë.