Këshilli i Ministrave ka miratuar këtë të enjte vendimin për përcaktimin e standardeve dhe kushteve teknike që duhet të përmbushin sistemet e basteve sportive online. Ky vendim, i propozuar nga Ministri i Financave, synon rregullimin e infrastrukturës teknologjike, procedurave të regjistrimit të lojtarëve dhe monitorimin e transaksioneve financiare në këtë sektor.

Sipas aktit normativ, subjektet e licencuara janë të detyruara të operojnë përmes sistemeve që garantojnë identifikimin unik të lojtarëve dhe monitorimin në kohë reale nga organet kompetente.

Rregullat e reja përcaktojnë se asnjë përdorues nuk mund të regjistrohet pa vendosur të dhëna të sakta si, emër, mbiemër, datëlindje, dokument identifikimi të skanuar dhe vërtetim të moshës ligjore.

Për sa i përket mbrojtjes së të dhënave, vendimi specifikon se regjistrat elektronikë të veprimeve dhe transaksioneve duhet të ruhen për një periudhë prej 5 vjetësh dhe të jenë të pandryshueshëm.

Platformat duhet të jenë teknikisht të integruara me Sistemin Qendror të Monitorimit Online të Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit.

Ky integrim garanton regjistrimin automatik të çdo bilete basti dhe transferimin e të dhënave mbi fitimet dhe taksat në mënyrë të menjëhershme. Transaksionet financiare do të kryhen vetëm përmes kanaleve të miratuara bankare dhe agjentëve të licencuar të pagesave.

Gjithashtu, platformat janë të detyruara të ofrojnë mekanizma për mbrojtjen e lojtarëve, duke përfshirë:

Mundësinë për të vendosur kufij mbi depozitat dhe humbjet.
Opsionin e vetëpërjashtimit nga loja për një periudhë të caktuar ose të pacaktuar.
Shfaqjen e detyrueshme të mesazheve sensibilizuese mbi rreziqet e varësisë nga lojërat e fatit.
Zbatimi i këtij vendimi do të mbikëqyret nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit dhe Komisioni i Licencave. Ky akt hyn në fuqi 30 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.