Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të përfitojnë financiarisht kur të rriten çmimet globale të naftës.

Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump theksoi se SHBA është prodhuesi më i madh i naftës në botë dhe për këtë arsye përfiton drejtpërdrejt nga rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

“SHBA është prodhuesi më i madh i naftës në botë, deri tani, kështu që kur çmimet e naftës rriten, ne fitojmë shumë para”, shkroi ai.

Megjithatë, Trump theksoi se prioriteti i tij kryesor mbetet ndalimi i Iranit që të sigurojë armë bërthamore. Sipas tij, një gjë e tillë do të rrezikonte stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe në mbarë botën.

“Si President, interesi im më i madh është të ndaloj një perandori të ligë si Irani që të ketë armë bërthamore dhe të shkatërrojë Lindjen e Mesme dhe botën. Nuk do ta lejoj kurrë që kjo të ndodhë”, u shpreh Trump.