Cilat janë në mënyrë të detajuar arsyet për të cilat Erion Veliaj thotë se emërimi i Ols Dados si Prokuror është bërë në kundërshtim me ligjin, e për këtë arsye emërimi i tij duhet të shpallet i pavlefshëm. Një akt përmes të cilit kryebashkiaku kërkon të rrëzojë të gjithë procesin penal ndaj tij. Report TV sjell në mënyrë të përmbledhur pretendimet e ngritura në kërkesë padinë e Veliajt, drejtuar Gjykatës Administrative.

Ols Dado është emëruar prokuror me një dekret të presidentit të Republikës në vitin 2008, bazuar në ligjin e kohës “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”.

Janë dy nene në të cilat përcaktohen kriteret për emërimin në funksionin e prokurorit.

NENI 17
• të kishte zotësi të plotë juridike për të vepruar;
• të ishte shtetas shqiptar;
• të kishte përfunduar arsimin e lartë juridik;
• të kishte përfunduar Shkollën e Magjistraturës;
• të mos ishte i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
• të mos ishte larguar për shkelje disiplinore nga administrata publike brenda afateve të përcaktuara në ligj;
• të ishte jo më pak se 25 vjeç.
Neni 17 përmban 7 kritere mes të cilëve dhe ai i detyrimit që kandidati të ketë përfunduar shkollën e Magjistraturës.

Në Nenin tjetër, atë 18, i njëjti ligj parashikonte një përjashtim të kufizuar nga detyrimi për përfundimin e Shkollës së Magjistraturës, duke lejuar emërimin e një kandidati që nuk kishte mbaruar Magjistraturën vetëm nëse ai, përmbushte të gjitha kushtet e tjera të nenit 17 dhe, së dyti, plotësonte njërin prej kritereve të tjera të posaçme të mëposhtme.

NENI 18
• të ketë ushtruar më parë funksionin e gjyqtarit ose të prokurorit;
• të ketë punuar jo më pak se tre vjet si pedagog në Shkollën e Magjistraturës ose në Fakultetin Juridik;
• të ketë shërbyer si këshilltar ligjor, drejtues ose specialist në strukturat juridikoprofesionale pranë Kuvendit, Presidentit të Republikës, Këshillit të Ministrave, Gjykatës së Lartë, Ministrisë së Drejtësisë ose Zyrës së Avokatit të Popullit;
• të ketë ushtruar detyrën e oficerit të policisë gjyqësore.
Sipas kërkesë padisë së Veliajt, Ols Dado ka përfunduar arsimin e lartë juridik, por nuk ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës, e po ashtu nuk ka ushtruar më parë funksionin e gjyqtarit apo prokurorit dhe nuk ka mbajtur asnjë nga funksionet e posaçme të renditura në nenin 18.

Duke qenë se sipas Veliajt, përpara emërimit, Dado ka ushtruar profesionin e noterit, i cili nuk përfshihej në kriteret ligjore për t’u bërë prokuror ai nuk ka qenë subjekt i vlefshëm ligjor për t’u emëruar në detyrën e prokurorit të Republikës së Shqipërisë.

Ols Dado u konfirmua si prokuror nga organet e Vettingut. Por në kërkesë padinë e Veliajt, theksohet se diçka e tillë nuk e legjitimon emërimin e tij të mëparshëm

“Organet e rivlerësimit nuk kanë pasur asnjëherë mandat për t’u marrë me ligjshmërinë e këtij akti. Çështja e vlefshmërisë së emërimit nuk është gjykuar dhe as nuk mund të pretendohet se duhej gjykuar nga këto organe”, thuhet në padi.

Po ashtu, në kërkesë padi vlerësohet se nuk qëndron as argumenti i mundshëm se, meqenëse Dado është vazhduar të trajtohet për vite me radhë si prokuror, akti i emërimit do të duhej të konsiderohej i konsoliduar në kohë.

“Çdo teori e “konsolidimit në kohë” të një akti nul do të përbënte në vetvete cenim të rendit juridik dhe një precedent të rrezikshëm për funksionimin e shtetit të së drejtës”, thuhet në padi.

Për të gjitha këto arsye zoti Veliaj vlerëson se “Kur personi që ushtron kompetenca publike është emëruar në kundërshtim me ligjin, çdo veprim i tij ndaj individit është, i ekspozuar ndaj pavlefshmërisë, kur sjell cenim të lirisë personale, të një procesi të rregullt ligjor dhe të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.”