Kreu i BDI-së Ali Ahmeti, ka zbuluar se para nënshkrimit të marrëveshjes së Ohrit i është propozuar në tavolinë ndarja e Maqedonisë. Në një intervistë në A2 CNN ai tha se kjo do të sillte pasoja të rënda. Ahmeti theksoi se propozimi i kishte ardhur nga qeveria e atëhershme maqedonase, e drejtuar nga Ljubčo Georgievski, por u refuzua pasi sipas tij do të çonte në luftë për territore dhe zhvendosje masive të popullsisë.

“Ne kemi pranuar marrëveshjen paqësore të Ohrit si zgjidhje më e mirë, vërtetë kompromis, por zgjidhja tjetër nuk ishte aq e lumtur, nuk ishte aq e mirë, por ishte e dhimbshme edhe për maqedonët edhe për shqiptarët, sepse mua mu vendos në tavolinë propozimin për ndarjen e Maqedonisë, nga qeveria e Maqedonisë, kryeministër Gjeorgjevski. Mirëpo nuk ishte zgjidhja më e mirë, ishte zgjidhje që do shkaktonte përplasje shumë më të mëdha. do merrte shumë jetë njerëzish sepse lufta do zhvillohej për territore. Sepse ai propozim i Georgevskit e përkufizonte dhe nga 30% shqiptarët sa janë në Republikën e Maqedonisë në një hapësirë territori diku rreth pesë gjashtë % kryesisht ishte Tetovë, Gustivar dhe vendlindja ime Zajazi dhe Oslomeja. Po pa Kërçovën, pa Strugën, pa Shkupin, pa Kumanovën, pa Prespën, pa Manastirin, pa Velesin që Ohrin. E dhimbshme për të dy palët. Duheshe të dëbohen 260.000 shqiptarë nga tokat e veta dhe 60.000 maqedonas të dëbohen gjithashtu nga tokat e veta që jetonin në pjesën e me shumicë shqiptare. Dhimbja do ishte e njëjtë për të dy palët”, u shpreh ai në A2 CNN.