Nga brenda mbledhjes së grupit të PS bëjnë me dije se kryeministri Rama ka kërkuar nga deputetët që të jenë sa më të pranishëm në terren, për të bashkëpunuar me pushtetin lokal në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.

Po ashtu, një fokus i rëndësishëm ka qenë procesi i integrimit të Shqipërisë në BE. Mësohet se kryeministri Rama ka thënë se procesi po ecën shumë shpejt, ndaj deputetët duhet të komunikojnë më shumë me qytetarët, sidomos me biznesin, ndërsa sigurinë ushqimore e ka konsideruar si sfidën kryesore.

Një porosi tjetër e Kryeministrit Rama në mbledhje ishte dhe porosia ndaj deputetëve për të qenë më aktiv në rrjetet sociale.

Perfundoi pas rreth 4 orësh mbledhja me dyer të mbyllura e grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetit qeveritar, e zhvilluar në Pallatin e Brigadave nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama.

Në fokus të diskutimeve ishte procesi i integrimit europian të Shqipërisë, ku Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, si dhe Kryenegociatorja Majlinda Dhuka, paraqitën raportet mbi ecurinë e negociatave me Bashkimin Europian. Pjesë qendrore e raportimit ishte Kapitulli 24: “Drejtësia, Liria dhe Siguria”, i konsideruar si një ndër më të rëndësishmit në këtë proces.

Gjatë mbledhjes u diskutua mbi progresin e arritur deri tani, sfidat që mbeten për t’u adresuar, si dhe masat konkrete që duhen ndërmarrë për përshpejtimin e reformave kyçe. Burime nga takimi bëjnë me dije se është theksuar nevoja për rritjen e koordinimit mes institucioneve dhe përmbushjen në kohë të detyrimeve që rrjedhin nga negociatat.

Kjo mbledhje vjen pas dorëzimit në Kuvend të raportit të detajuar të qeverisë mbi ecurinë e procesit të anëtarësimit, ku evidentohen arritje në disa fusha prioritare, por edhe nevoja për përparim të mëtejshëm në sundimin e ligjit dhe forcimin e institucioneve.

Kryeministri Rama ka rikonfirmuar objektivin për mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027 dhe anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda vitit 2030. Në përfundim të mbledhjes, mësohet se janë lënë detyra konkrete për ministritë përkatëse, ndërsa pritet që në ditët në vijim të bëhen publike detaje të tjera mbi hapat e ardhshëm në këtë proces.