Nga Nga Lirim Dullovi
Arbëreshët e Italisë, për më shumë se 500 vjet, larg trojeve shqiptare, arritën ta ruajnë gjuhën, kulturën, kujtesën dhe traditat shqiptare. Madje, në komunat ku jetojnë, edhe mbishkrimet e rrugëve dhe të institucioneve i kanë në dy gjuhë.
Në Maqedoni, ndërkaq, po ndodh e kundërta. Mbrëmë, kulmi ishte në Kongresin e parë të VLEN-it, ku nuk u këndua himni kombëtar. Më herët, në një tubim parazgjedhor në Tetovë, nuk u përdor flamuri kombëtar. Ndërkohë, nuk pushojnë së ndërtuari narrativin se gjuha shqipe “nuk është zyrtare”, pa thënë asnjë fjalë pse nuk po e zyrtarizojnë atëherë, tani që janë vetë në pushtet. Dhe, për çudi, mbrëmë, para “Albin babës”, e gjithë kjo u quajt “bërje historie”.
Në fakt, ndoshta edhe kanë të drejtë. Këta po e jetësojnë projektin 3A: shqiptarin ndryshe nga ai i Kosovës dhe Shqipërisë; një shqiptar pa gjuhë, pa flamur dhe pa himn.
Arbëreshët janë të krishterë, ndërsa këta e paraqesin veten si myslimanë të devotshëm; nuk lënë xhuma pa u fotografuar në saf të parë. Atëherë, prej nga vjen gjithë kjo neveri e tyre ndaj gjuhës shqipe, flamurit kombëtar dhe himnit shqiptar? Nga feja, apo nga shtrembërimi i fesë, duke e paraqitur atë në konflikt të vazhdueshëm me identitetin kombëtar shqiptar?
Pleqtë tanë, kur tregonin për shpërnguljet masive të shqiptarëve nga këto troje, përmendnin me emër e mbiemër edhe rolin e disa hoxhallarëve që inkurajuan largimin drejt një “toke të premtuar” në Anadoll. Shumë shqiptarë u besuan, sepse nuk mund ta imagjinonin se njerëzit që flisnin në emër të Zotit, në realitet, po e përdornin fenë vetëm për ta fshehur misionin që kishin marrë për t’i zbrazur këto treva nga shqiptarët.
Po sot, kështu si e kanë nisur këta që po “bëjnë historinë”, a thua ku e kanë ndërmend të na çojnë?










