Nga Baton Haxhiu

Nën hijen e Mickoskit, Albin Kurti foli për bashkim të Vlen, ndërsa shqiptarët protestojnë për gjuhën, përjashtohen nga institucionet dhe shndërrohen në dekor të një pushteti që nuk i njeh si të barabartë

Ka diçka thellësisht të frikshme në këtë fjalim të Albin Kurtit në Shkup. Jo për atë që tha. Por për atë që zgjodhi të mos shohë.

Në një moment kur shqiptarët në Maqedoninë e Veriut ndihen më të pambrojtur politikisht se në çdo periudhë pas vitit 2001, Kurti shkon në Shkup dhe flet sikur ndodhet në një seminar rajonal të OJQ-ve evropiane. Flet për bashkim, për demokraci, për diasporë, për korridore, për “One Stop Shop”, për energji demokratike dhe për stabilitet rajonal, ndërsa jashtë sallës shqiptarët protestojnë për të drejtën elementare të gjuhës.

Kjo nuk është verbëri politike. Kjo është shkëputje nga realiteti.

Sepse pyetja që duhej bërë aty, në sy të Mickoskit, nuk ishte sa kilometra janë Prishtina me Shkupin. Pyetja ishte pse shqiptari në këtë shtet ende duhet të protestojë për të drejtën që gjuha e tij të trajtohet si gjuhë e barabartë.

Dhe këtu fillon problemi real i këtij fjalimi.

Kurti nuk foli si kryeministër i shqiptarëve të Kosovës që e njeh historinë politike të Maqedonisë së Veriut. Ai foli si garantues i një stabiliteti artificial, në një moment kur vetë themelet e karakterit multietnik të shtetit po grryhen nga brenda.

Ai foli për “bashkimin historik” të VLEN-it, ndërkohë që VLEN nuk është bashkim politik. Është fragmentim politik i administruar. Është shndërrimi i përfaqësimit shqiptar në grup individësh që flasin shqip dhe përfaqësojnë maqedonisht.

Në këtë fjalim nuk ekziston kriza e gjuhës. Nuk ekziston degradimi i përfaqësimit shqiptar. Nuk ekziston fakti që Gjykata Kushtetuese po vihet mbi Marrëveshjen e Ohrit. Nuk ekziston fakti që shqiptarët sot kanë më pak fuqi institucionale se në vitet e para të pluralizmit.

Përkundrazi. Ai e paraqet këtë realitet si sukses.

Kjo është pjesa më dramatike.

Sepse Albin Kurti, që dikur fliste për vetëvendosje, barazi dhe dinjitet politik, sot në Shkup legjitimon një model ku shqiptarët nuk trajtohen si faktor shtetformues, por si dekor koalicioni.

Ai flet për antifashizëm në krah të një kryeministri që ndërton narrativë etnonacionaliste. Flet për Evropë, ndërsa vetë qeveria maqedonase e relativizon rrugën evropiane sa herë që prek interesin nacional maqedonas. Flet për integrim të shqiptarëve, ndërkohë që vetë përfaqësimi shqiptar është zbrazur nga çdo peshë reale.

Dhe ironia bëhet edhe më e rëndë kur flet për “tejkalimin e mendësive provinciale”, ndërsa vetë VLEN është ndërtuar pikërisht mbi provincën politike. Pa koncept ideologjik, pa bosht programor, pa figurë përfaqësuese dhe pa guxim përballë VMRO-së.

Në fakt, gjithë ky projekt i ka shërbyer vetëm një gjëje. Dobësimit të përfaqësimit shqiptar.

Sepse për herë të parë pas vitit 2001, shqiptarët nuk kanë partner politik në qeveri. Kanë individë në administratë.

Dhe këtë Albin Kurti e di shumë mirë.

Ai e di se VLEN nuk u votua si projekt. U votua si protestë kundër BDI-së. Por në vend që ta ndërtonte një alternativë reale politike shqiptare, ai ndihmoi në fragmentimin e mëtejshëm të skenës shqiptare dhe në krijimin e një strukture që sot funksionon më shumë si mekanizëm kontrolli sesa përfaqësimi.

Ndërsa Edi Rama, për arsye të procesit evropian dhe një kujdesi të tepruar ndaj Shkupit, zgjodhi heshtjen dhe mbështetjen pa kushte ndaj Ali Ahmetit, Kurti zgjodhi rrugën edhe më të rrezikshme. Luftoi gjithë strukturën tradicionale politike shqiptare në Maqedoni pa ndërtuar asgjë solide në vend të saj.

Rezultati është ky që shohim sot.

Një shqiptar i dobësuar politikisht. Një përfaqësim i fragmentuar. Një VMRO gjithnjë e më e fortë. Dhe një shtet që gradualisht po largohet nga ideja e barazisë multietnike.

Në këtë kuptim, fjalimi i Kurtit në Shkup nuk ishte vetëm gabim politik.

Ishte simptomë e një krize më të madhe. Krizës së lidershipit shqiptar në rajon, që ka filluar të ngatërrojë stabilitetin me heshtjen dhe bashkëqeverisjen me dinjitetin.

Dhe historia e Ballkanit ka treguar gjithmonë një gjë.

Kur shqiptarët reduktohen në folklor politik dhe përjashtohen nga fuqia reale, problemi nuk mbetet vetëm i tyre. Ai bëhet problem i vetë shtetit.