Ish-futbollisti i Kombëtares, Ilir Alliu, kritikoi formulën e “Final 4” të këtij sezoni në Kategorinë Superiore.

“Çudia më e madhe është se del i pari, por të thonë “mbylle gojën, merr këto 100 milionë lekët, por do jesh me pikë të barabarta me vendin e dytë”. Për çfarë u bë kampionati një vit? Je në avantazh 1 pikë, por nuk je në avantazh. Çfarë logjike është kjo?”, tha Alliu, duke iu referuar faktit se pavarësisht se Vllaznia e mbylli kampionatin me një pikë më shumë se Elbasani, do e nisin “Final 4” me pikë të barabarta pas përgjysmimit të pikëve.

Duke folur më tej për Tiranën, Alliu vlerësoi trajnerin e saj, Orges Shehin.

“E mori ekipin në një moment shumë të vështirë dhe i ka dhënë shumë kredite vetes. Iniciativa për ta marrë në një moment kur të gjithë e parashikonin shumë të vështirë, tregon shumë. Klubi e tregoi se kush ishte deri ditën kur i erdhi Shehi në stol”, tha Alliu.

“Janë për t’u përgëzuar trajneri dhe lojtarët që e ndoqën. Tirana është i vetmi ekip që i mbijetoi rënies me djersën e vet, me punën e trajnerit dhe çunave”, shtoi ish-futbollisti.