Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala dhe ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, inspektuan ecurinë e punimeve në Spitalin Universitar të Traumës, ku po vijon një nga projektet më të rëndësishme të modernizimit të infrastrukturës spitalore në vend.
Ministrja Sala, gjatë vizitës në bllokun operator, i cili është në proces rikonstruksioni dhe modernizimi të plotë, theksoi se puna po vijon me ritme intensive për përfundimin në kohë të investimit, ndërsa vlerësoi angazhimin dhe profesionalizmin e stafit mjekësor për garantimin e shërbimit ndaj pacientëve në çdo moment.
“Pavarësisht procesit të rikonstruksionit, shërbimi në Spitalin Universitar të Traumës po vijon pa ndërprerje. Stafi mjekësor po punon me dy turne dhe me standarde të larta profesionale për të garantuar trajtim cilësor dhe të sigurt për çdo pacient. Ky është një shembull i menaxhimit efikas të një investimi madhor, pa cenuar aksesin e qytetarëve në shërbimet shëndetësore”, u shpreh ministrja Sala.
Gjithashtu, ministrja theksoi se rikonstruksioni do të mundësojë ngritjen e një strukture spitalore moderne, me kushte bashkëkohore pune për personelin shëndetësor dhe kapacitete të zgjeruara për trajtimin e pacientëve, duke rritur cilësinë dhe efikasitetin e shërbimeve të traumës në nivel kombëtar.
Ndërsa, ministri Nufi u ndal në rëndësinë dhe peshën që mban Spitali Universitar i Traumës në sistemin shëndetësor të vendit, duke përballuar një volum të konsiderueshëm rastesh nga e gjithë Shqipëria.
Ai theksoi se, me ngritjen e polit të ri të traumës në Veri, pritet një shpërndarje më e balancuar e fluksit të pacientëve, duke rritur kapacitetet e përgjigjes dhe efikasitetin e shërbimit në shkallë kombëtare.
Spitali Universitar i Traumës përfaqëson një nga shtyllat më të rëndësishme të sistemit shëndetësor shqiptar, duke ofruar kujdes të specializuar për rastet e traumës dhe urgjencave të rënda, si dhe duke luajtur një rol kyç në garantimin e shërbimeve spitalore të avancuara për qytetarët.










