Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish përmes një mesazhi në rrjetet sociale lidhur me protestat që po zhvillohen në kryeqytet kundër projektit për ndërtimin e një resorti turistik në zonën e Zvërnecit në Vlorë.

Përmes këtij postimi, kreu i qeverisë ka shprehur gatishmërinë për të dëgjuar zërin e qytetarëve, duke i ftuar protestuesit në një bashkëbisedim të hapur. Rama u ka kërkuar atyre që të përzgjedhin një grup prej 20 përfaqësuesish për të diskutuar nga afër mbi shqetësimet që kanë rreth këtij investimi.

Ky reagim i kreut të qeverisë vjen në një kohë kur reagimi qytetar po organizohet për një tjetër tubim. Për ditën e sotme, në orën 18:00, është thirrur një tjetër protestë nga qytetarët dhe aktivistët që kundërshtojnë projektin në Zvërnec.