Kryeministri Edi Rama këtë të martë gjatë fjalës së tij në Konferencën e 3-të Kombëtare të Arsimit dhe Formimit Profesional ka folur edhe lidhur me interesimin e të huajve për të investuar në vendin tonë. Rama theksoi se ky interes me suksesin e Shqipërisë në turizëm.

“Ideja që investitorët e huaj vijnë në Shqipëri për të ndërtuar resorte të cilat janë për shumë të pasur dhe për punonjës nga Pakistani, Bangladeshi apo Filipinet, sepse duan t’i paguajnë pak, është një ide që nuk ka asnjë lidhje me realitetin. Është gabim i madh që të flitet në këtë mënyrë dhe është gënjeshtër e madhe që të mendohet kështu.

Ne nuk është se kemi një numër të madh investitorësh të huaj. Sapo ka filluar një interesim nga kapitali dhe sipërmarrja e huaj për Shqipërinë, që lidhet me suksesin e Shqipërisë në turizëm. Deri përpara disa vitesh nuk kemi pasur asnjë interesim nga kapitali i huaj.

Shqipëria ishte po kaq e bukur, natyra ishte po kaq e bukur. Interesi i parë që më pas u materializua ishte për Portin e Durrësit. Pas atij investimi ka filluar të ngrihet interesi i kapitalit dhe sipërmarrjes së huaj, sepse më parë nuk kishin besim”, tha ai ndër të tjera.