Në një intervistë për “Shqipëria Live” në Top Channel, Kryeministri Edi Rama u ndal te protestat e fundit në Tiranë, për të cilat tha se ato janë pjesë e jetës demokratike të vendit dhe nuk mund të quhen si matje force.
Ai shtoi se do të respektojë ‘kontratën’ që ka me shqiptarët, duke iu referuar zgjedhjeve të kaluara.
“Mbase e nxjerrë nga konteksti kjo gjë, duket sikur unë kam pasur një dilemë. Nuk ishte dilemë, por mundësi në kushtet kur gjërat që jam këtu bëhen të pamundura. Në rast se e flasim konkretisht, unë kam një kontratë me shqiptarët dhe do e respektoj deri në fund. Nuk diskutohet.
Çfarë problemi ka që ndodhin protestat në lidhje me atë që thashë? Protestat janë pjesë e jetës demokratike në një vend të lirë. Protestat nuk janë matje force dhe as nuk maten me numra në kuptimin që pavarësisht se numrat mund të jenë të vegjël ose të mëdhenj, por maten me qëllime, kauzën dhe kërkesat.
Fakti që unë dhe PS jemi votuar me një shumicë, e cila është shumë domethënëse, nuk e përjashton faktin që një pjesë e njerëzve jetojnë në këtë vend, kanë një opinion tjetër dhe duan ta shprehin. Këto janë dy gjëra që nuk e përjashtojnë njëra tjetrën”, u shpreh Rama.
“Ne nuk jemi për të treguar se kush është më i fortë se kush e ka e kush jo mbështetjen, nuk është një lojë apo sport, është një marrëveshje shumë serioze me popullin shqiptar, është një kontratë që duhet zbatuar sipas programit, për të cilën njerëzit na kanë votuar. Nuk jemi për të treguar se kush jeni ju, ose kush jemi ne. Disa janë zgjedhur për të votuar dhe për të çuar përpara një projekt historik anëtarësimi në BE, dhe disa kanë zgjedhur të protestojnë ndaj tyre”, tha Rama.
Ai foli edhe për protestën e qytetarëve dhe festën e 35-vjetorit të PS-së që do të mbahen në të njëjtën orë.
“Më vjen shumë keq, por së pari kemi planifikuar të gjithë këto muaj, kohë më përpara se të shfaqej kjo protestë. 12 qershori është lindja e PS, nuk e spostonim dot ditëlindjen se ka protestë. Ora është e përshtatshme për faktin se nuk jemi më në temperaturat e mëparshme dhe nuk mund t’u kërkoj njerëzve të mblidhen në pikë të diellit. Ne do të mbarojmë shumë më shpejt. Nuk ka këtu as provokim, as përballje, kjo është jeta demokratike”, tha ai.










