Ka nisur në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë seanca ku pritet të shpallet aktgjykimi i shkallës së parë për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Gjatë seancës, trupi gjykues do të bëjë të ditur vendimin për secilin prej të akuzuarve, duke trajtuar dhjetë pikat e aktakuzës. Leximi i aktgjykimit pritet të zgjasë rreth dy orë.
Në sallën e gjyqit janë të pranishëm të akuzuarit, ekipet e tyre mbrojtëse, përfaqësuesit e Prokurorisë, si dhe familjarët.
Interesi për vendimin është i madh edhe jashtë gjykatës. Qindra shqiptarë janë mbledhur në Hagë, ndërsa nisja e seancës është shoqëruar me brohorima.
Në Prishtinë, qytetarë të shumtë janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu”, ku po e ndjekin drejtpërdrejt seancën përmes një ekrani të madh të vendosur nga organizatorët.










