Prokuroria e Posaçme ka dhënë detaje zyrtare për masat e sigurisë të vendosura nga GJKKO në kuadër të një hetimi të nisur në vitin 2025.

Në qendër të vendimit të gjykatës është drejtuesja e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, ndaj së cilës është caktuar masa “arrest në shtëpi”, si dhe pezullimi nga ushtrimi i detyrës.

Sipas SPAK, Hyseni është person nën hetim për veprat penale të parashikuara nga nenet 320/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal.

Për të njëjtin procedim, GJKKO ka caktuar masën “arrest në burg” për F.K., përgjegjës sektori në Institutin e Policisë Shkencore, i hetuar për veprën penale të parashikuar nga neni 295/a/1.

Në burg është vendosur edhe E.S., punonjës i shoqërisë “Agroturizëm Kodra e Kuajve”, i hetuar për veprën penale të parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal.

SPAK njofton se vendimet e gjykatës i janë përcjellë Policisë së Shtetit, e cila ka ekzekutuar dy prej masave të sigurisë.

Hetimi ka përfshirë edhe kontrolle të urdhëruara nga GJKKO. Një prej tyre lidhet me banesën dhe kontrollin personal të I.P., ish-funksionar i lartë i Policisë së Shtetit.

Gjithashtu, është autorizuar kontrolli i një kompleksi vilash në zonën e Shkozetit në Durrës, në kryqëzimin e rrugëve “Durrësi në Shekuj” dhe “Bajram Tusha”.

Masat janë marrë në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025. SPAK ka falënderuar Policinë e Shtetit për mbështetjen në zbatimin e vendimeve të gjykatës.

Prokuroria e Posaçme thekson se të gjithë personat nën hetim gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.