Ambasada Amerikane në Tiranë ka reaguar pas protestës së dhunshme të 17 tetorit, duke përcjellë një mesazh kundër akteve të dhunës dhe shkatërrimit të pronës, në një moment kur përplasjet në kryeqytet kanë rritur tensionet politike dhe sociale.

Pa iu referuar drejtpërdrejt qeverisë apo opozitës, Ambasada e vendos theksin te mënyra se si ushtrohet e drejta për të protestuar, duke nënvizuar se dhuna dhe dëmtimi i pronës nuk përbëjnë angazhim qytetar.

“Dhuna, trazirat, lëndimi fizik i të tjerëve dhe shkatërrimi i pronës nuk janë angazhim qytetar”, thuhet në reagim.

Ambasada u bën thirrje qytetarëve që të protestojnë në mënyrë paqësore dhe kërkon vetëpërmbajtje nga të gjitha palët.

Mesazhi vjen pas një dite të tensionuar në Tiranë, ku protesta e 17 tetorit u shoqërua me përplasje. Edhe pse reagimi nuk shpreh mbështetje të drejtpërdrejtë për qeverinë, theksi i vendosur te dhuna dhe shkatërrimi i pronës mund të lexohet si një mesazh në mbrojtje të rendit publik, në një klimë të tensionuar politike.