Një nga figurat që ka drejtuar Lëvizjen Vetëvendosje në Shqipëri ka dalë hapur kundër strategjisë së Arlind Qorit dhe Lëvizjes Bashkë.
Boiken Abazi, ish-drejtues i Qendrës së Vetëvendosjes në Shqipëri, kritikon Qorin se ka izoluar Lëvizjen Bashkë dhe se ka refuzuar të ndërtojë ura bashkëpunimi me forca të tjera të reja politike.
“Gabim e ka Arlind Qorri që mjaftohet me thirrjet ‘Rama në burg, Berisha në burg’ për të na treguar se politika e vjetër është delegjitimuar në shesh”, shkruan Abazi.
Sipas tij, PS dhe PD vazhdojnë të zotërojnë pjesën më të madhe të territorit politik dhe Lëvizja Bashkë po dëmton kauzën duke u mbyllur ndaj bashkëpunimit.
“Gabim e ka edhe me izolimin që i ka bërë Lëvizjes Bashkë dhe mbylljes së urave të bashkëpunimit me subjekte të tjera të reja politike e personazhe publike. Pa krijuar një front kundër politikës së vjetër ai është duke e dëmtuar kauzën”, shkruan ish-drejtuesi i Vetëvendosjes.
Abazi thotë se Qori dhe aktivistët e Lëvizjes Bashkë nuk meritojnë presionin që, sipas tij, po u bëhet nga qeveria apo sulmet nga mbështetësit e Sali Berishës, por shton se kreu i Lëvizjes Bashkë “e meriton kritikën e sinqertë”.
Ai e akuzon Qorin se nuk ka pasur “as vullnetin e as guximin” për t’u bërë pjesë e një fronti më të gjerë shoqëror dhe e mbyll reagimin me një paralajmërim politik: “Nëse nuk ndryshon, atëherë do duhet tejkaluar”.










