Pierre-Emerick Aubameyang i ka hedhur poshtë thashethemet se ai mund të largohet nga Arsenali shumë shpejtë, duke theksuar se do të qëndrojë 100% në Emirates.

Thashethemet për të ardhmen e sulmuesit nga Gaboni janë intensifikuan dukshëm në javët e fundit, transmeton Gazeta Express.

Afati kalimtar i janarit është hapur zyrtarisht, duke u hapur rrugët klubeve t’i përforcojnë skuadrat e tyre deri në fund të muajit.

Është përfolur se në mesin e skuadrave më të interesuara për Aubameyang janë Barcelona dhe Interi.

Duke qenë se Arsenali ka hasur në vështirësi për t’u përmirësuar këtë sezon, është thënë se Aubameyang është i hapur për një sfidë të re në një klub me ambicie të ngjashme me të.

Por, 30-vjeçari i ka mohuar thashethemet për largim të menjëhershëm nga Arsenali.

I pyetur rreth lajmeve për largimin e tij pas fitores 2:0 ndaj Manchester Unitedit të mërkurën, Aubameyang tha: “Mediave angleze u pëlqen të flasin shumë”.

“Tani për tani, jam 100% këtu”, shtoi ai.

Kontrata e tij me klubin përfundon në fund të sezonit 2020/21, por bisedimet me klubin nuk kanë shënuar përparim.