Gratë dhe të miturit janë në qendër të ligjit “Për Dhënie Amnistie”. Nga ky projektligj përfitojnë 180 të dënuar. Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, gjatë një emisioni televizivi tha se, 50% e grave që përfitojnë nga amnistia do lënë qelitë dhe 50% të tjera do kenë ulje të dënimit. “Amnistia ka një kohë të gjatë që po përgatitet, në shtatorin e shkuar ka mbërritur në Kuvend. Për shkak të tërmetit diskutimet për amnistinë u shtynë. Ne kemi studiuar të gjitha elementët që kanë përmbajtur dhe amnistitë e kaluara. Janë disa vite që nuk ka pasur amnisti dhe kemi treguar kujdes që me këtë amnisti të përfitojnë ata që e kanë arritur qëllimin e rehabilitimit”,- theksoi ministrja.
“Kjo amnisti i kushtohet grave dhe të miturve duke përcaktuar disa kritere më lehtësues për gratë që do përfitojnë nga amnistia. Një pjesë e tyre kanë kryer vepra penale për shkak të kushteve familjare, ekonomike dhe shpeshherë të përdorura nga persona të tjerë. Një pjesë e grave, 50% e tyre do të lirohen nga institucioni dhe 50% të tjera të cilat kanë disa kritere ndaluese, do të përfitojnë nga amnistia, por me uljen e dënimit me 1/3. Në të njëjtën kategori janë edhe të miturit. Duke pasur parasysh që të miturit përfshihen shpesh herë në vepra penale, ne kemi studiuar të gjithë të dënuarit e mitur në institucionin e veçantë të Kavajës me qëllim që 50% e tyre të lirohen dhe 50% të përftojnë nga ulja e dënimit”,- u shpreh Gjonaj. Ministrja e Drejtësisë bëri të ditur se me ndryshimet që iu bënë ligjit në Komisionin e Ligjeve, në total numri përfituesve do të jetë 180 burra, gra dhe fëmijë.
“Sot në sistem kemi 54 gra të dënuara me vendim të formës së prerë dhe në momentin që u miratua amnistia disa nga këto gra janë liruar dhe numri është ulur. 22 gra lirohen tërësisht dhe 29 të tjera ulje të 1/3 të dënimit për shkak të shtrirjes kohore nga 30.9.2019 deri në 30.12.2019. Rasti i grave përsëritëse në krim i kemi hequr kriteret ndaluese. Gratë që janë dënuar me vendim gjykate nën 3 vite të lirohen, apo atyre që i kanë mbetur më pak se tre vite u ulën. Veprat penale janë kritere ndaluese, pasi ato vepra penale që lidhen me rrezikimin e jetës së tjetrit nuk përfitojnë lirimin nga qelia, por përfitojnë sipas rastit uljen me 1/3 e dënimit, kur atyre i kanë mbetur nën tre vite dënim”,- tha Gjonaj. “Për burrat mbajmë në konsideratë veprat penale që nuk janë të rrezikshme. Dënimi më pak se 2 vjet për burrat ose atyre që kanë më pak se dy vite për të vuajtur, përfitojnë amnisti. Burrat nuk do të përfitojnë ulje të dënimit për të eliminuar abuzimet”,- tha më tej Gjonaj, duke kujtuar raste kur të dënuar me burgim të përjetshëm kanë përfituar nga amnistia vitet e shkuara.
“Kemi qenë strikt për masat parandaluese. Një specifikë tjetër që ka amnistia është se nuk përfshihet ndjekja penale. Për ata që janë ende në proces dhe ka ndjekjen penale, nuk do të amnistohen. Në rastin konkret në vitin 2015 ka patur një amnisti ku nuk është përfshirë ndjekja penale përderisa nuk ka një dënim. Amnistia ka qëllim rehabilitimin. Nëse ne do të përfshinim ndjekjen penale atëherë duket sikur ne do të favorizonim pandëshkueshmërinë kur ne jemi për ndëshkueshmërinë e të gjithë atyre që shkelin ligjin”,- tha Gjonaj. “Një sërë masash janë marrë në pjesën e reformës legjislative. Sot në Kuvend është depozituar edhe paketa për reformën penitenciare. Kjo reformë, katër projektligjet janë miratuar nga qeveria. Kjo paketë sqaron një sërë problematikash që ne sot shohim në praktik, ku ka pasur hapësira të ndryshme ligjore, që sot normohen më mirë edhe në ligj dhe nuk i lihen më në dorë urdhrave të ministrit të Drejtësisë, apo Drejtorit të Burgjeve. Kjo paketë rrit dhe masat e sigurisë dhe sjell ngritjen për herë të parë dhe të komisionit të rrezikshmërisë të subjekteve që ndodhen në institucione, që raste të tilla të jenë të parandaluara.”- tha Gjonaj.
“Po ashtu kemi ngritur dhe një trup speciale për të monitoruar punë e “Bis-41″ apo për të verifikuar dhe mbrojtur punonjësit e burgjeve në rastet kur të dënuarit shantazhojnë punonjësit brenda apo jashtë IEPV-ve”, -theksoi Gjonaj. Ministrja e Drejtësisë bën të ditur se në muajin shkurt priten dhe propozimet e para për të dënuarit të cilët do të vuajnë dënimin në regjimin e izoluar “41- bis”. “Ndryshimet ligjore të 2019 e parashikojnë subjektet që do të hyjnë në 41- bis. Jo vetëm Ministri i Drejtësisë, por edhe prokurorinë e posaçme, ky është një element i ri”,- tha Gjonaj.
“Në shkurt dalin propozimet e para që janë bërë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, duke plotësuar informacion edhe në ato dosje që nuk janë plotësuar plotësisht.41- bis ka ngjallur interes dhe mbështetje nga ambasada e SHBA, BE por edhe nga ambasada britanike jo vetëm për të dhënë ekspertizën e zbatimit të këtij regjimi, ku do të izolohen subjekte kriminale me rrezik të lartë, por edhe përsa i përket formimit të trupave speciale.Shumë shpejt do të jepen dhe propozimet e para”, – thotë Gjonaj. Ministrja Gjonaj, duke folur për lirimin nga burgu të Endrit Dokles, u shpreh se i është drejtuar të gjitha institucioneve të drejtësisë për gjyqtaren që dha vendimin dhe ka kërkuar që të përfshihen në një listë prioritare për vetting gjyqtarë si ajo.
“Për çështjen Dokle ne kemi pasur një sinjalizim dhe më herët nga drejtoria e burgjeve dhe e shërbimit të provës ku ka pasur një indicie të cilën e kemi referuar si shqetësim tek institucionet e drejtësisë. Ka qenë një indicie që mund të lirohej subjekti. Kur është dhënë vendimi nga gjyqtarja kam filluar një hetim administrativ”,- tha ajo. “Nga verifikimi paraprak që kemi kryer, ka rezultuar që vendimi i gjyqtares është marrë në kundërshtim me Kodin Penal dhe vendimet unifikuese të Gjykatës së Lartë. I jam drejtuar të gjitha institucioneve të drejtësisë edhe KLGJ që të marrë menjëherë masën për pezullimin e gjyqtares dhe KLP dhe ONM me qëllim që këtë gjyqtare apo subjekte të tjera t’i përfshijnë në mënyrë prioritare për vetting”, deklaroi ministrja.
Ajo tha se nuk është rasti i parë. “Nëse ka pasur një reagim të fortë nga ana ime ka qenë pikërisht që këto fenomene të parandalohen. Ka pasur me të njëjtën gjyqtare të njëjtën situatë. E njëjta situatë dhe me gjyqtarë të tjerë që kanë dhënë vendime të paligjshme për të cilët Ministria e Drejtësisë ka dhënë sinjalizimin, por është kërkuar dhe procedim disiplinor. Por është një aspekt që Ministria e Drejtësisë nuk mund ta parandalojë. Unë kam nxjerrë urdhra që detyrojnë Drejtorinë e Burgjeve dhe shërbimit të provës që të informojnë për kërkesat që çojnë në gjykatë për të informuar për ato subjekte që janë të dënuar me mbi 15 vite burg”,- u shpreh ajo. “Situata e burgjeve nuk është se lindi sot me të njëjtën problematikë. Dhe në rastin e Dokles kishte një çedim, një shkelje nga drejtori i shërbimit të provës në burgun e Fushë-Krujës dhe ndaj u pezullua por ka pasur dhe një kallëzim penal ndaj tij për raportin e paraqitur”,- u shpreh ajo.
Sa i takon ndryshimeve në Kodin Penal, Gjonaj tha se, “këto janë vendimmarrje në kundërshtim me ligjin, me kodin penal. Sa i përket masave të reja që duhen marrë është pikërisht një paketë me ndryshime ligjore që qeveria ka përgatitur e ka dorëzuar në parlament me qëllim që të përfshihen disa mekanizma për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë. Për të gjithë ata gjyqtarë e prokurorë të mund të pezullohen me vendim të inspektorit të lartë të drejtësisë dhe me vendimmarrje të këshillave. Besoj se do miratohen shpejt nga parlamenti këto masa dhe do jenë ndihmë për institucionet e drejtësisë që raste të tilla të parandalohen”. Duke folur për akuzat e PD lidhur me emërimin e Artur Metanit në krye të ILD, Gjonaj i cilëson si të pabazuara. “Z. Metani i zgjedhur nga Kuvendi ka qenë një ndër kandidatët më të mirë profesionalisht me një CV shumë më të pasur se kandidatët e tjerë. Kuvendi ka respektuar vendimmarrjen e KED duke emëruar të parin në listën e të kandidaturave”,- tha Gjonaj.
“Me Artur Metanin kam punuar për disa vite dhe kam respekt maksimal për punën e tij profesionale dhe eksperiencës së tij në nivelet drejtuese dhe besoj se është një nga emrat që do t’i japi vlerë të shtuar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Nuk mund të ndalojmë vëllezërit e motrat të çdo deputeti të kandidoj. Në fund të fundit nuk është kuvendi ai që zgjedh dhe zgjodhi të pestin që ishte Metani, por jo, Artur Metani ishte i pari dhe Kuvendi e respektoi KED-në në vendimin e tij. KED ka gjyqtarë e prokurorë të të gjitha niveleve dhe për sa kohë KED bëri një zgjedhje të tillë, ne respektuam vullnetin e KED. Edhe PD ka persona, deputet, ish deputet që kanë vëllezër e motra gjyqtarë e prokurorë dhe kjo sdo të thotë që ne duhet të ndikohemi nga kjo lidhje për të vlerësuar gjyqtarët dhe prokurorët në detyrën e tyre”,- tha Gjonaj.