Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka kërkuar sot në Konferencën e 16-të parlamentare rajonale për integrimin evropian të shteteve pjesëmarrëse në Procesin e Stabilizimit dhe Asocimit të Evropës Juglindore që Bashkimi Evropian të mbajë premtimin e dhënë ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Balla foli për mungesën e vendimmarrjes së Këshillit Europian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duke cituar edhe presidenten e KE-së Ursula von der Leyen. “Viti që lamë pas shënoi një vendim të rëndësishëm por aspak të pëlqyeshëm për rajonin tonë. Mos marrja e vendimit për hapjen e negociatave solli reagime kritike. Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen u shpreh ‘ne i kemi kërkuar të bëjnë shumë, ata i kanë plotësuar kriteret dhe ndaj ne duhet të marrim një vendim’. BE mbaj premtimin e dhënë ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor. Kjo daton qysh në vitin 2003 në samitin e Selanikut dhe ende sot mbetet një proces i hapur.
Një ndër dështimet më monumentale të BE është fakti që ende qytetaret e Republikës së Kosovës nuk përfshihen në procesin e lëvizjes së lirë në hapësirën e BE-së.
Dhe ky edhe pse prej 3 vite e gjysmë Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe kushtet për liberalizimin e vizave. BE është e vetmja alternativë. Nga ana jonë jemi duke punuar shumë për daljen nga salla e pritjes”, theksoi Balla ndër të tjera.