Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, i ka kushtuar një status në llogarinë e tij në Facebook, Presidentit Ibrahim Rugova, në përkujtim të 14 vjetorit të vdekjes së tij. “Ibrahim Rugova ka qenë intelektuali më i madh në politikë dhe politikani më i madh ndër intelektualë gjatë viteve të veprimtarisë së tij.” – shprehet Cakaj në reagimin e tij. Gjithashtu, Cakaj shton se pa angazhimin e drejtpërdrejtë të Rugovës, mendimet e baraspeshuara dhe vizionin afatgjatë, nuk mund të kuptohet drejt, as orientimi euroatlantik i Kosovës, as ngritja e strukturave paralele, as përpjekja për zhvillimin e demokracisë në Kosovë. “Sot kujtojmë jo vetëm Presidentin e Parë të Kosovës me kontribut të pashlyeshëm në historinë e saj, por edhe historinë dekadëshe të shtetndërtimit të Kosovës që s’mund të mendohet pa të.”- përfundon postimin e tij Cakaj.

Postimi i plotë i Cakaj: Ibrahim Rugova ka qenë intelektuali më i madh në politikë dhe politikani më i madh ndër intelektualë gjatë viteve të veprimtarisë së tij. Pa angazhimin e tij të drejtpërdrejtë, mendimet e baraspeshuara dhe vizionin afatgjatë, nuk mund të kuptohet drejt, as orientimi euroatlantik i Kosovës, as ngritja e strukturave paralele, as përpjekja për zhvillimin e demokracisë në Kosovë. Në katërmbëdhjetë vjetorin e vdekjes së tij, kujtojmë jo vetëm Presidentin e Parë të Kosovës me kontribut të pashlyeshëm në historinë e saj, por edhe historinë dekadëshe të shtetndërtimit të Kosovës që s’mund të mendohet pa të.