Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka dhënë detaje të reja sa i përket amnistisë që ka miratuar kuvendi që favorizon gratë dhe të miturit.Në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa në News24, Gjonaj deklaroi se është treguar kujdes që nga amnistia të përfitojnë ata që e kanë arritur qëllimin e rehabilitimit.Ajo tha se 50% e grave që përfitojnë nga amnistia do lënë qelitë dhe 50% të tjera do kenë ulje të dënimit.
“Amnistia ka një kohë që po përgatitet. Ne kemi studiuar të gjitha elementet që kanë përmbajtur dhe amnistitë e kaluara. Janë disa vjet që nuk ka pasur amnisti dhe kemi treguar kujdes që me këtë amnisti të përfitojnë ata që e kanë arritur qëllimin e rehabilitimit. Kjo amnisti i kushtohet grave dhe të miturve duke përcaktuar disa kritere më lehtësues për gratë që do përfitojnë nga amnistia. Një pjesë e tyre kanë kryer vepra penale për shkak të kushteve familjare, ekonomike dhe shpeshherë të përdorura nga persona të tjerë. Një pjesë e grave 50% e tyre do të lirohen nga institucioni dhe 50% të tjera të cilat kanë disa kritere ndaluese do të përfitojnë nga amnistia por me uljen e dënimit me 1/3. Në të njëjtën kategori janë dhe të miturit. Duke pasur parasysh që të miturit përfshihen shpesh herë në vepra penale, ne kemi studiuar të gjithë të dënuarit e mitur në institucionin e veçantë të Kavajës me qëllim që 50% e tyre të lirohen dhe 50% të përftojnë nga ulja e dënimit”, deklaroi Gjonaj.