Abdulmanap Nurmagomedov, babai i kampionit të botës në peshën e lehtë në artet marciale mikse, Khabib Nurmagomedov, ka deklaruar se djali i tij është gati të zhvillojë revanshin ndaj Conor McGregor. Gjithsesi, ai ka treguar edhe kërkesën e veçantë që ka për presidentin e UFC-së, Dana White që kjo sfidë e dytë mes dy sportistëve të realizohet.
“Edhe ne e duam një revansh ndaj Conor, por kjo sfidë do t’i kushtojë disi UFC-së. Nëse ata na japin 100 milionë dollarë jemi gati të duelojmë sërish. Që pas ndeshjes që do të zhvillojmë ndaj Tony Ferguson jemi gati të duelojmë me Conor për atë shifër. Edhe vetë Dana White ka nevojë për atë duel, por ajo sfidë ka një kosto që ai duhet ta përballojë atë”, tha babai i Khabib.
Khabib Nurmagomedov fitoi me “submission” duelin e parë ndaj Conor McGregor, në eventin UFC-229, zhvilluar në tetor të 2018-ës. Ajo përballje pati mjaft tension para dhe pas saj, duke u mbyllur me një sherr masiv mes palëve, çka i kushtoi rusit 1 milionë dollarë gjobë dhe 6 muaj pezullim nga aktiviteti.